Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) paralajmëron për një skemë të dyshuar mashtrimi në Facebook, ku po përdoren pa autorizim imazhi dhe zëri i mjekut të njohur Flamur Topi. Sipas AMA-s, videot e vjetra janë manipuluar me anë të inteligjencës artificiale, duke iu atribuuar atij reklama dhe rekomandime për produkte farmaceutike. Familjarë të mjekut vunë në dijeni institucionin për publikimin e këtyre materialeve, që dyshohet të jenë krijuar duke marrë fragmente nga emisionet e vjetra “Trupi dhe shëndeti” të transmetuara në RTSH dhe duke manipuluar zërin.
AMA raporton se, nga verifikimet e mëtejshme dhe konfirmimi i marrë nga sistemi bankar, materialet lidhen me një skemë mashtrimi që ka për synim përvetësimin e të dhënave bankare të qytetarëve. Sipas autoritetit, përmbajtjet shfrytëzojnë besimin e publikut ndaj figurave të njohura, veçanërisht ndaj personave të moshës së tretë, dhe mund të shpërndahen edhe përmes reklamave të sponsorizuara në rrjetet sociale. Përdorimi i imazhit dhe zërit të mjekut synon t’u japë besueshmëri reklamave, në mënyrë që përdoruesit të klikojnë në faqe të dyshimta ose të kryejnë veprime që rrezikojnë informacionin e tyre financiar.
Autoriteti bën thirrje për kujdes dhe jep këshilla konkrete: të verifikohen videot dhe reklamave para se t’u besohet përmbajtja; të mos blihen produkte shëndetësore pa u konsultuar më parë me mjekun; të mos jepen të dhëna personale apo bankare në faqe të dyshimta; dhe të raportohen videot dhe reklamat e manipuluara në platformat ku publikohen. AMA nënvizon rëndësinë e verifikimit të informacionit në internet dhe paralajmëron se videot që duken reale mund të jenë të manipuluara dhe të përdoren për qëllime mashtruese.
Në përfundim, Autoriteti i Mediave Audiovizive apelon: “Jo çdo video që duket reale është e vërtetë. Verifikoni përpara se të besoni!”

