Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka konfirmuar se po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores amerikane në Greqi, pas raportimeve për parregullsi të dyshuara para dhe pas emërimit të saj. “Po, nuk jemi të kënaqur”, deklaroi Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar çështjes. CNN raporton se pritet një vendim të shpejtë, ndërsa Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit po heton akuzat për sjellje të pahijshme.
Wall Street Journal ka ngritur dyshime për përdorimin e lidhjeve politike dhe pozicionit diplomatik të Guilfoyle për interesa private. Sipas gazetës, ajo dyshohet se i ka kërkuar Eric Dieters, një donator i Trump, 100 mijë dollarë për të shlyer një detyrim të kartës së kreditit American Express, në këmbim të aksesit te zyrtarë qeveritarë. Raportimet përfshijnë gjithashtu takime diplomatike ku dyshohet se kanë marrë pjesë lobistë, përdorimin e avionëve privatë dhe qëndrime luksoze, të cilat pretendohet të jenë financuar nga biznesmenë grekë. Të gjitha këto akuza mbeten të pavërtetuara.
Avokatët e Guilfoyle, Jesse Binnall dhe David M. Schwartz, kanë mohuar pretendimet për shkelje. Ata thonë se Dieters i detyrohet ambasadores rreth 150 mijë dollarë për shërbime profesionale të ofruara para emërimit, për fjalime, konsulencë dhe komunikim strategjik gjatë vitit 2024 dhe fillimit të 2025. Sipas avokatëve, kishte një kontratë për pjesëmarrjen si folëse kryesore në “Freedom Fest” me tarifë 200 mijë dollarë dhe pagesat nuk u kryen plotësisht, çka la një pjesë të detyrimeve të papaguara. Ata mohojnë që kërkesa për pagesë të lidhej me ndikim politik dhe thonë se Guilfoyle kërkonte të arkëtonte punën e kryer përpara detyrës publike.
Avokatët përmendin edhe një propozim prej një milion dollarësh nga Dieters për të promovuar një padi private për neglizhencë mjekësore, që sipas tyre u refuzua. Ata kundërshtojnë raportimet për përdorimin e avionëve privatë, duke thënë se Guilfoyle ka kërkuar dhe marrë udhëzime nga Departamenti i Shtetit dhe se ka respektuar rregullat federale për etikën, pranimin e dhuratave dhe deklarimin e shpenzimeve, pa dhënë detaje specifike për fluturimet apo mbulimin e kostove.
Sipas Associated Press, Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio po shqyrtojnë largimin e saj dhe mund të vendosin brenda javës; një zyrtar anonim tha se të dy ishin jashtëzakonisht të zemëruar. Rubio raportohet të jetë veçanërisht i shqetësuar pas vizitës së tij në Athinë, ku u prit nga Guilfoyle. Qeveria greke ka mohuar se në një darkë të përmendur të ketë pasur diskutime për kërcënim ose presion ndaj Greqisë. E ardhmja e Guilfoyle në Athinë mbetet e paqartë.

