Statusi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë nuk do të ndryshojë; institucioni do të ruajë autonominë e vet sipas draftit të rishikuar për ligjin e kinematografisë. Jonid Jorgji, drejtor i Qendrës, deklaroi: “Ka autonominë e vetë, gjithnjë e bashkërenduar me ministrinë përkatëse, por nuk ndryshon nga ai që është”. Ai tha se drafti i ri u hartua pas shqyrtimit të propozimeve të marra gjatë konsultimit publik.
Sipas Jorgjit, ndryshimi synon një lloj demokratizimi të institucioneve, ku një pjesë e vendimmarrjeve, vlerësimeve dhe monitorimeve brenda institucionit do të vijë jo vetëm nga institucione të tjera publike, por edhe nga vetë komuniteti: “Është një lloj demokratizimi i këtij institucioni, ku një pjesë e mirë e vendimmarrjeve, një pjesë e mirë e vlerësimeve, por edhe vetë monitorimeve brenda institucionit, të vijë jo vetëm nga institucione të tjera publike, por edhe nga vetë komuniteti”.
Drafti, që ende nuk është publikuar, parashikon ndarjen e buxhetit të institucionit në mënyrë që 70% të qëndrojë për kinematografinë dhe filmin autor, ndërsa 30% për audiovizualin, duke përfshirë serialet, videolojërat dhe produktet imersive. Drejtori theksoi nevojën për politika të përcaktuara qartë për kanalizimin e këtyre buxheteve, për të mbështetur si filmat e regjisorëve të rinj, ashtu edhe ata të regjisorëve më të afirmuar: “Të vendosen politikat e mirëpërcaktuara se ku do të kanalizohen këto buxhete, qoftë për filma të regjisorëve të rinj, qoftë për filma të regjisorëve më të afirmuar”.
Për adresimin e mungesës së hapësirave për shfaqje, Jorgji njoftoi punë për rivitalizimin e shtatë kinemave publike në rrethe dhe parashikoi detyrime edhe për kinematë private: “Kinematë private do të kenë detyrimet e tyre sa i përket filmit shqiptar. De të ketë detyrime për të dhënë premierat shqiptare në ditë të caktuara në salla të caktuara”.
Drafti është rishikuar pas kritikave dhe debateve që ngjalli projektligji i publikuar në maj dhe pritet të vijojë konsultimi me grupet e interesit. Lira Pipa, zv/ministre e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, tha: “Ky draft do të jetë edhe për një prezantim publik, ku kushdo mund të shohë rekomandimet që janë reflektuar. Jemi në një porces konsultimi ndërinstitucional”.

