Hetimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregojnë se në Shqipëri janë përdorur dhe u është lejuar tregtimi i pesticideve të ndaluara, edhe gjatë periudhës 2022–2024 kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga Anila Denaj. Raporti përfundimtar konstatoi se 10 pesticide të ndaluara u lejuan të shiteshin në farmacitë bujqësore dhe se Ministria nuk siguroi tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu përpara përdorimit në kultura frutore dhe perimore. Për më tepër, ministria u dha shtatë bizneseve importuese mundësinë të tregtojnë produktet përtej afateve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
Raporti përmend raste konkrete ku afatet e vlefshmërisë të PMB-ve janë zgjatur krahasuar me datat e vendosura nga BE-ja: Spinetoram rezulton me afat deri më 30.06.2025 ndërkohë që lista e BE-së e kishte 30.04.2024; Dimethomorph deri më 30.04.2025 përkundrejt afatit BE 30.04.2024; Metaflumizone deri më 31.12.2025 ndonëse BE-ja e kishte 31.12.2024, dhe kjo PMB shfaqet edhe në Listën nr.1 të publikuar nga MBZHR në shkurt 2025. Po ashtu, për Clofentezine Ministria kishte afat deri më 11.05.2024, ndonëse lista e BE-së përmendte afatin deri më 11.11.2023.
KLSH vëren mungesën e një plani të qartë të Ministrisë për menaxhimin dhe kontrollin e pesticideve të ndaluara, çka krijon hapësira për përdorim të pakontrolluar dhe tregon se tregtimi bëhet në interes të kompanive importuese. Në listat nr.2 të PMB-ve, që përfshijnë produktet e përjashtuara në BE, nuk është përcaktuar procesi i realizimit, përgjegjësitë dhe mekanizmat e monitorimit, duke lënë jashtë një kontroll të qartë respektimin e afateve të vendosura.
Pas gjetjeve, Ministria e Bujqësisë hodhi përgjegjësinë tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe autoritetet e tjera, duke argumentuar se MBZHR nuk është struktura përgjegjëse për menaxhimin e PMB-ve. Raporti nënvizon se leja për tregtim përtej afateve të BE-së favorizon interesat ekonomike të importuesve dhe penalizon fermerët, pasi frutat dhe perimet e trajtuara me këto pesticide rrezikojnë të refuzohen dhe asgjësohen në pikat doganore, duke shkaktuar dëm ekonomik.

