Adriatik Kupi ka dhënë dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, detyrë në të cilën u emërua vetëm 7 muaj më parë. Largimi i tij vjen pas presioneve të vazhdueshme që, sipas informacioneve që disponon Timoni.al, janë ushtruar ndaj tij gjatë ditëve të fundit për ta detyruar të largohet nga detyra.
Një ditë më parë, Timoni.al paralajmëroi ekskluzivisht se Belinda Balluku kishte dhënë urdhër për shkarkimin e Kupit, në një lëvizje që ajo po koordinohej me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.
Ndërkohë sot, Kupi e bëri të ditur largimin përmes një mesazhi, në të cilin, mes të tjerash, nënvizon se gjatë ushtrimit të detyrës është përballur jo vetëm me kritika e kundërshtime, por edhe me “gurë të hedhur mbi punën e tij”.
Në mesazhin e tij, ai lë të kuptohet se vështirësitë e kanë shoqëruar që prej marrjes së detyrës, duke iu referuar problemeve që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, vendimeve të vështira dhe përgjegjësive që, sipas tij, nuk mund të shtyheshin as me minuta.
“Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot”, shkruan Kupi, në një mesazh që lë të hapur pikëpyetjet mbi rrethanat e largimit të tij.
Ndërkohë, Belinda Balluku pritet të emërojë në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve një person të besuar të saj. Kjo lëvizje shënon një tjetër ndryshim në drejtimin e një institucioni të rëndësishëm shtetëror, i cili po kalon tanimë nën ndikimin e Ballukut.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur Belinda Balluku vijon të jetë në qendër të vëmendjes për hetimet e SPAK-ut ndaj saj teksa zyrtarisht është nën akuzë për korrupsion e pastrim parash, ndërsa qëndrimi i saj në liri dhe lëvizjet që komandon në administratën publike, tregojnë fuqinë e saj në nivelet e larta të pushtetit.
Mesa duket edhe Prokuroria e Posaçme duket e dorëzuar përballë Ballukut, teksa drejtuesi i SPAK, Klodian Braho prej frikës ose ndonjë arsye tjetër, nuk ka guxim të dërgojë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres. Më shumë se një herë prokurorët kanë deklaruar se qëndrimi i Ballukut në liri mund të prishë provat ku ndër to janë konstatuar edhe presione e shantazhe ndaj dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, siç edhe është denoncuar në media, por sërish SPAK duket se ka bërë pak në heshtje dhe kjo padiskutim i shërben fuqizimit të pushtetit të Ballukut në nivelet e larta qeverisëse.

