Cristiano Ronaldo foli për objektivin e arritjes së 1,000 golave në karrierë, duke theksuar se nuk dëshiron që e ardhmja e tij të përcaktohet nga një shifër. Në një intervistë për CNN Portugal, ylli portugez tha se preferon të përqendrohet te e tashmja dhe të lejojë që gjërat të ndodhin natyrshëm. Ai vuri në pah se vëmendja e madhe ndaj numrit të golave po zbehet atë që po bën aktualisht në fushë dhe se tifozët janë të fokusuar te numërimi mbrapsht drejt kuotës historike në vend që të shijojnë paraqitjet dhe golat e tij në këtë periudhë.
Ronaldo pranoi se kjo vëmendje mund të vijë nga admirimi dhe dëshira e tifozëve për ta parë të arrijë një tjetër rekord, por nënvizoi se nuk dëshiron të ndikohet nga presioni i shifrave. “Gjërat duhet të ndodhin natyrshëm. Edhe nëse shënoj 920, 925 apo 930 gola, unë jam më i miri në histori, pikë dhe mbaroi. Nuk ka diskutim”, tha ai në intervistë. Kur u pyet nëse mendon se do të arrijë shifrën e 1,000 golave, portugezi nuk dha një përgjigje të prerë, duke theksuar se kjo nuk është ajo që e motivon të vazhdojë të luajë. Ai pranoi se nëse arrin këtë shifër, do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, por nuk dëshiron ta kthejë atë në objektivin kryesor të karrierës: “Për golat flasin vetë shifrat. Prandaj nuk do të them se duhet të arrijë 1000 gola. Nëse i arrij, fantastike! Por nuk është objektivi im”, deklaroi Ronaldo.
Një pjesë tjetër e intervistës lidhej me të ardhmen e tij në futboll. Ronaldo tha se nuk planifikon shumë larg dhe se motivimi për të vazhduar karrierën do të jetë faktor vendimtar. Ai theksoi dëshirën për të shijuar momentin aktual dhe pamundësinë për të parashikuar se si do të ndihet në të ardhmen: “Unë nuk mendoj për një të ardhme të largët. Mendoj për momentin, për të tashmen, sepse nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër. Nëse zgjohem një ditë pa motivim, nuk dua të luaj më”. Në këtë mënyrë Ronaldo la të kuptohet se vazhdimi i karrierës së tij do të varet më shumë nga dëshira dhe motivimi për të konkurruar në nivelet më të larta sesa nga rekordet ose numri i golave.

