Cristiano Ronaldo ka thënë se nuk dëshiron që e ardhmja e tij të përcaktohet nga shifra e 1000 golave, duke preferuar të përqendrohet te e tashmja dhe të lejojë që gjërat të ndodhin natyrshëm. Në një intervistë për CNN Portugal, ai shprehu shqetësimin se vëmendja e madhe ndaj numrit të golave po e zbeh atë që po bën aktualisht në fushë, pasi tifozët janë të fokusuar më shumë te numërimi mbrapsht drejt kuotës historike sesa te paraqitjet dhe golat e tij në këtë periudhë.
Ronaldo pranoi se kjo vëmendje vjen nga admirimi dhe dëshira e tifozëve për të parë një rekord të ri, por theksoi se nuk dëshiron të ndikohet nga presioni i shifrave. “Gjërat duhet të ndodhin natyrisht. Edhe nëse shënoj 920, 925 apo 930 gola, unë jam më i miri në histori, pikë dhe mbaroi. Nuk ka diskutim”, u shpreh ai, duke nënvizuar besimin e tij në vlerën e karrierës së tij pavarësisht numrit.
Kur u pyet nëse mendon se do të arrijë 1000 gola, Ronaldo nuk dha një përgjigje të prerë dhe theksoi se kjo shifër nuk është ajo që e motivon të vazhdojë të luajë. Ai vlerësoi se, nëse arrin këtë kuotë, do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm, por nuk dëshiron ta kthejë atë në objektivin kryesor të karrierës së tij. “Për golat flasin vetë shifrat. Prandaj nuk do të them se duhet të arrijë 1000 gola. Nëse i arrij, fantastike! Por nuk është objektivi im”, deklaroi ylli portugez.
Një pjesë tjetër e intervistës u përqendrua te e ardhmja e tij në futboll. Ronaldo tha se nuk planifikon shumë larg dhe se motivimi për të vazhduar do të përcaktojë vendimin e tij për të luajtur më tej. Ai dëshiron të shijojë momentin aktual dhe nuk mund të parashikojë si do të ndihet në të ardhmen: “Unë nuk mendoj për një të ardhme të largët. Mendoj për momentin, për të tashmen, sepse nuk e di se çfarë do të ndodhë nesër. Nëse zgjohem një ditë pa motivim, nuk dua të luaj më”. (Top Channel)

