Ministrja Mirela Kumbaro ka miratuar një Kod Etik për nëpunësit e Ministrisë së Arsimit, që vendos rregulla të sjelljes brenda dhe jashtë institucionit me qëllim ruajtjen e imazhit të administratës. Sipas kodit, çdo nëpunës që dëshiron të kryejë veprimtari të jashtme përveç detyrës zyrtare duhet të marrë aprovimin me shkrim nga eprori, pas verifikimit të lejueshmërisë së saj.
Dokumenti detajon se të gjitha asetet, mjetet e punës, infrastruktura teknologjike dhe bazat e të dhënave zyrtare duhet të përdoren ekskluzivisht për përmbushjen e detyrave funksionale dhe në shërbim të interesit publik. Për të garantuar paanshmërinë politike dhe integritetin e institucionit, këto burime nuk mund të përdoren në aktivitete gjatë fushatave elektorale.
Kodi përfshin edhe rregulla për paraqitjen në punë: kërkohet një pamje serioze dhe nuk pranohet veshja ekstravagante, sportive apo makiazhi i tepruar. Gjithashtu ndalohet mbajtja e veshjeve, simboleve ose elementeve që shfaqin bindje politike. Sjellja e nëpunësve nuk duhet të udhëhiqet nga interesat private ose nga ndikimi politik gjatë proceseve vendimmarrëse; kur konstatohen konflikte të mundshme interesi, nëpunësi duhet të kërkojë përjashtimin.
Një tjetër pikë thelbësore është sinjalizimi i korrupsionit: kodi garanton mbrojtjen e konfidentialitetit të nëpunësit që raporton shkelje të ligjit gjatë detyrës. Ndalohet kërkimi ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i dhuratave, shpërblimeve, favoreve apo çdo përfitimi tjetër — për vete ose për persona të lidhur — kur ato ndikojnë ose mund të krijojnë perceptimin e ndikimit në paanshmërinë e ushtrimit të detyrës ose përbëjnë shpërblim për kryerjen e saj.
Gjithashtu, gjatë mbledhjeve me Ministrin, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e tjerë, telefonat duhet të jenë të fikur ose në modalitet pa zë, përveç rasteve kur përdorimi i tyre autorizohet nga drejtuesi i mbledhjes. Punonjësit do të kenë mundësinë të këshillohen nga një këshilltar i etikës në institucion, i cili ka funksion parandalues për zbatimin e standardeve të integritetit.
Informacioni mbi përmbajtjen e Kodit është marrë nga dokumenti i siguruar nga Top Channel.

