Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi me habi ndaj njoftimit të Donald Trumpit për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se nuk kishte marrë më parë informacion për një marrëveshje të tillë. Në një bisedë telefonike me median amerikane Axios, ai e përshkroi njoftimin si një zhvillim të ri, por shtoi se Kievi është i gatshëm të pranojë armëpushimin nëse Moska angazhohet realisht për ndalimin e sulmeve. “Për mua është një lajm i ri. Por, nëse rusët janë dakord për një armëpushim energjetik, edhe Ukraina do ta pranojë”, deklaroi Zelensky.
Njoftimi i Trumpit u bë përmes platformës Truth Social, ku presidenti amerikan tha se armëpushimi hyn në fuqi menjëherë dhe se të dyja palët kanë pranuar marrëveshjen, por pa dhënë detaje mbi kohëzgjatjen apo mënyrën e monitorimit të zbatimit. Sipas raportimit të TGCOM24, në momentin e publikimit të lajmit Kremlini nuk kishte bërë ende ndonjë deklaratë zyrtare për njoftimin e Trumpit. Mbetet e paqartë se si është arritur marrëveshja e pretenduar dhe nëse Moska e Kievi kanë rënë dakord konkretisht për kushtet e saj.
Një armëpushim energjetik do të synonte ndalimin e goditjeve ndaj objekteve që prodhojnë dhe furnizojnë me energji, të cilat janë kthyer në objektiva të rëndësishëm të luftës. Në këtë kontekst, Zelensky iu përgjigj edhe deklaratave të Trumpit se Ukraina duhet të organizojë zgjedhje të reja presidenciale, duke theksuar se vendimi për udhëheqjen e vendit i takon popullit ukrainas. Ai i kërkoi presidentit amerikan që t’i kërkojë Vladimir Putinit një armëpushim të plotë, i cili do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve: “Ju lutem, thuajini Putinit, na jepni dy muaj, 60 ditë armëpushim të plotë, dhe ne do të organizojmë zgjedhjet”, deklaroi Zelensky në një intervistë për programin This Week të ABC.
Deklaratat erdhën në një moment tensionesh mes Kievit dhe Uashingtonit, pas kritikave të Trumpit ndaj sulmeve ukrainase kundër rafinerive ruse dhe mosmarrëveshjeve për mënyrën se si duhet të përparojnë negociatat për përfundimin e luftës.

