Me nisjen e vjeshtës rikthehet debati mbi të ardhurat dhe shpenzimet për vitin e ardhshëm, ndërsa buxheti i 2027-ës dhe paketa fiskale pritet të marrin formë gjatë javëve në vijim. Projektbuxheti për 2027, që pritet të kalojë 10 miliardë euro, dhe paketa fiskale do të publikohen në fund të tetorit, sipas njoftimeve zyrtare. Qeveria ka paralajmëruar një buxhet mbi 10 miliardë euro me fokus te shëndetësia, infrastruktura, mbrojtja dhe mbështetja sociale.
Bizneset kanë nisur të paraqesin pranë qeverisë kërkesat për lehtësira fiskale, duke synuar uljen e kostove dhe nxitjen e investimeve. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka depozituar pranë Ministrisë së Financave propozimet për paketën fiskale të vitit të ardhshëm, me kërkesën për rishikimin e barrës tatimore për sektorët prodhues dhe përpunues. Ndër kërkesat kryesore të Dhomës janë: ulja e TVSH-së për agropërpunimin në 5–7%; zero TVSH për fertilizantët; përjashtim nga TVSH në import për makineritë e përdorura në industrinë prodhuese dhe sektorin e energjisë; lehtësim i tarifave doganore për lëndët e para; rimbursim i akcizës për gazin dhe lëndët djegëse; dhe rritja e normës së amortizimit fiskal për makineritë dhe pajisjet nga 20% në 40%.
Shoqata “Manifaktura Shqiptare” paraqet kërkesa në të njëjtën linjë, duke propozuar harmonizimin e pragut të papaguar të pagave me pagën minimale, uljen e kostove të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit, dhe përjashtimin nga tatim-fitimi i fitimeve të riinvestuara në aktivitetin prodhues. Shoqata kërkon gjithashtu krijimin e një skeme shtetërore grantesh për teknologjinë, automatizimin dhe modernizimin industrial.
Kërkesat vijnë ndërsa sektori i manifakturës përballet me vështirësi: eksportet në shtatë muajt e parë të vitit ranë në 648 milionë euro, nga 703 milionë euro në të njëjtën periudhë një vit më parë, sipas INSTAT. Mbetet të shihet se cilat nga këto kërkesa të biznesit do të përfshihen në paketën fiskale të 2027.

