Manchester City tentoi të arrijë një akord me Premier League për një reduktim të sanksioneve, duke hyre në bisedime për të paguar një gjobë të madhe për të shmangur heqjen e titujve dhe rënien nga kategoria, njofton gazeta financiare Bloomberg. Sipas raportimeve, diskutimet u zhvilluan përpara publikimit të vendimit që e shpallte klubin fajtor për 114 nga 115 akuzat për manipulim të llogarive financiare për periudhën 2009–2018, të cilat lidhen me tentativat për të shmangur normativat ekonomike.
Drejtuesit e Manchester City i propozuan Premier League një pagesë të konsiderueshme në këmbim të qëndrimit në elitën e futbollit anglez dhe të mbajtjes së titujve, por Ligë e refuzoi ofertën. Premier League synon të aplikojë sanksionet e plota pasi të mbyllet procesi i apelimit të klubit, i parashikuar për në muajin shkurt.
Një komision i Premier League arriti në përfundimin se Manchester City falsifikoi bilancet për më shumë se 900 milionë paund (rreth 1.2 miliardë dollarë). Sipas këtij komisioni, klubi siguroi kapital nga Abu Dhabi përmes kontratave fiktive të sponsorizimit, në mënyrë që të shmangte kufizimet dhe rregullat financiare. Hetimet konkluduan se klubi kishte paraqitur bilance që fshehnin gjendjen reale të financave dhe se kishte tejkaluar dukshëm kufijtë e shpenzimeve të vendosura si nga Premier League ashtu edhe nga UEFA.
Në pritje të vendimit pas apelimit, sanksionet e mundshme që parashikohen përfshijnë gjoba shumëmilionëshe, heqje pikësh dhe deri te rënia administrative nga kategoria. Procesi i apelimit dhe zbatimi i çdo sanksioni pritet të përcaktojnë nëse dhe në çfarë forme do të ndikohen titujt dhe pozicioni i klubit në kampionat.
Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga Bloomberg dhe transmetuar nga Top Channel.

