Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se nuk do ta ndiqte nëse do të transmetohej drejtpërdrejt ekzekutimi i Nidal Malik Hasan, ish-psikiatrit ushtarak të dënuar për sulmin në Fort Hood në 2009, dhe shprehu dyshime nëse transmetimi do të realizohet. “Nuk e di nëse kjo do të ndodhë vërtet”, tha Vance, duke shtuar se “nëse në fund transmetohet drejtpërdrejt, unë nuk do ta shikoj”. Ai dënoi ashpër krimin, duke kërkuar që publiku të mos harrojë viktimat e sulmit.
Presidenti Donald Trump mbështeti hapur dënimin me vdekje për Hasanin, duke përkrahur metodën e pushkatimit dhe duke e quajtur autorin “maniak”. Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se “i japim dënimin me vdekje një njeriu që vrau 14 ushtarë disa vite më parë” dhe se Hasani “e meriton” këtë dënim. Presidenti kishte miratuar zbatimin e dënimit pas rekomandimit të sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, por nuk dha një qëndrim të qartë mbi mundësinë e transmetimit të drejtpërdrejtë të ekzekutimit.
Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, mbrojti përdorimin e pushkatimit si mënyrë ekzekutimi, duke argumentuar se publiku duhet të kuptojë se veprime të tilla kanë pasoja serioze. Ai e përshkroi zgjedhjen e kësaj metode si një vendim të qartë, ndërsa ideja e transmetimit publik ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime.
Sipas raportimeve, ekzekutimi i Hasan është planifikuar për 3 dhjetor 2026, në orën 13:00 sipas kohës lokale, në Fort Hood. Nëse kryhet, ai do të ishte ekzekutimi i parë i një pjesëtari të forcave të armatosura amerikane që nga viti 1961 dhe ekzekutimi i parë ushtarak me pushkatim që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nidal Malik Hasan kreu sulmin më 5 nëntor 2009 në bazën ushtarake Fort Hood, Teksas, duke hapur zjarr në një ndërtesë mjekësore ku ushtarët prisnin për kontrolle dhe procedura për dislokim. Sulmi përfundoi me 13 të vrarë dhe 32 të plagosur. Hetimet treguan se Hasan kishte përgatitur sulmin për javë dhe kishte praktikuar qitje në një poligon. Gjatë gjyqit ai nuk e mohoi përgjegjësinë dhe u dënua për 13 akuza për vrasje të paramenduar dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje; mbrojtja e tij lidhur me kundërshtimin e dërgimit të trupave në Afganistan nuk u pranua nga gjykata ushtarake.

