Policia e Kosovës ka bastisur shtëpitë dhe pronat e 38-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vëllait të saj, si dhe plagosjen e një personi tjetër. Kontrollet, të zhvilluara me urdhër të prokurorit, rezultuan me gjetjen dhe sekuestrimin e disa armëve, qindra fishekëve dhe provave të tjera materiale që mund të ndihmojnë në hetimin e rastit.
Sipas raportit ditor të Policisë, në pronat e të dyshuarit janë gjetur dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje dhe një armë gjuetie. Në total janë sekuestruar 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1,600 gëzhoja për pushkë gjuetie. Po ashtu, janë marrë edhe disa telefona celularë dhe një pajisje DVR, e cila shërben për regjistrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë.
Hetimet kanë përfshirë gjithashtu dy vendet ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja; në këto lokacione policia ka sekuestruar katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha. Brenda veturës së të dyshuarit u gjet dhe u sekuestrua edhe një pistoletë, për të cilën ekziston dyshimi se është përdorur në kryerjen e veprës penale, dhe për të është konstatuar po ashtu se kishte leje të skaduar.
Provat e mbledhura pritet të shqyrtohen në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale. Prokuroria Themelore në Gjilan bëri të ditur se, sipas të dhënave që posedojnë autoritetet, 38-vjeçari nuk ka të kaluar kriminale dhe as raste të mëparshme të raportuara për dhunë në familje.
Ngjarja ndodhi të premten, kur i dyshuari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëshortes dhe vëllait të saj, duke u shkaktuar vdekjen këtyre personave. Një tjetër person, i identifikuar si djali i xhaxhait të bashkëshortes, mbeti i plagosur.

