Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Transaksioni 2”, duke ekzekutuar masa sigurie ndaj 14 personave të dyshuar për “ushtrim pa licencë i veprimtarive financiare”. Nga këta, 11 persona u vendosën nën masën “arrest në shtëpi”, ndërsa tre shtetas morën masa të tjera sigurie, përfshirë “ndalimin e daljes jashtë shtetit” dhe “detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Sipas njoftimit të Policisë, ekzekutimi i urdhrave u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Vendimet u zbatuan në bazë të urdhrave të prokurorit dhe vendimit të gjykatës.
U ekzekutuan masat “Arrest në shtëpi” për: Etland Dhamo (55 vjeç), Hasan Shametaj (58 vjeç), Enis Ikonomi (34 vjeç), Admir Iljazi (45 vjeç), Laurenc Toska (27 vjeç), Luan Zenelaj (57 vjeç), Fatmir Dervishaj (67 vjeç), Viktor Binaj (58 vjeç), Rinush Stavri (39 vjeç), Denis Arapi (36 vjeç) dhe Çlirim Sino (38 vjeç), të gjithë banues në Fier dhe Tiranë. Për tre persona të tjerë u vendosën masat e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe “detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Gjatë kontrolleve në banesa dhe subjekte tregtare lidhur me hetimin, forcat e rendit sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në monedha të ndryshme: 4.461.000 lekë, 92.390 euro, 8.215 paund, 19.022 dollarë dhe 220 franga. Në rastin e shtetasit Ç. S. u nis procedimi penal, pasi gjatë kontrollit në banesë u gjetën dhe u sekuestruan një armë sportive tip pistoletë, dy mjete prerëse dhe një fishek, të cilat janë marrë si provë materiale.
Materialet procedurale dhe provat u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Fier deklaron se vazhdon angazhimin për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare.

