Granit Xhaka është njohur me vendimin e Prokurorisë Publike lidhur me çështjen e certifikatës së vaksinimit kundër COVID-19 që dyshohet si e rreme. Kapiteni i përfaqësueses së Zvicrës njoftoi vendimin përmes një postimi në “Story” në Instagram, ku bëri të ditur se është dënuar me një gjobë me kusht prej 50 kuotash ditore, secila me vlerë 3,000 franga, që në total arrijnë 150,000 franga (rreth 14.75 milionë lekë).
Sipas njoftimit të tij, dënimi është me kusht dhe nuk do të ekzekutohet nëse gjatë periudhës së provës prej dy vitesh nuk kryen ndonjë shkelje tjetër. Ai shtoi se shpenzimet e procedurës janë paguar tashmë. Xhaka theksoi se disa javë më parë ishte deklaruar personalisht dhe kishte thënë se do të marrë përgjegjësi për vendimin e tij, duke shtuar se qëndron pas kësaj. Pas dhënies së dëshmisë së plotë në Prokurorinë Publike, sipas tij, tani është marrë vendimi përkatës.
Në postimin e tij shpjegohej gjithashtu rëndësia e urdhrit penal: “Përmes një urdhri penal, unë u dënova për marrjen e rreme të një certifikimi fals me një gjobë me kusht prej 50 kuotash ditore nga 3000 franga, me një periudhë me kusht prej dy vitesh. Kjo do të thotë se dënimi nuk do të ekzekutohet nëse nuk bëj asnjë shkelje gjatë kësaj kohe”, shkroi ai, sipas përmbajtjes së publikimit.
Xhaka konfirmoi se e pranon vendimin dhe se merr përgjegjësinë për veprimet e tij. Në përfundim të njoftimit, ai falënderoi personat që i kanë dërguar mesazhe mbështetëse gjatë javëve të fundit, duke vlerësuar se ato kanë pasur një rëndësi të veçantë për të në këtë periudhë.

