Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 për një seancë plenare me 18 pika në rendin e ditës, ku në fokus janë katër interpelanca ministrash, reforma administrativo-territoriale dhe disa projektligje sektorialë. Seanca nis me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 5 tetorit dhe njoftimet.
E para në rendin e ditës është një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Më pas janë parashikuar tre interpelanca të tjera: dy me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi, dhe një me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga Tedi Blushi.
Një nga pikat kryesore është projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, që pritet të sjellë debate dhe vendime të rëndësishme në Kuvend. Renditjen e ditës plotësojnë edhe projektligje dhe ndryshime ligjore në fusha të ndryshme: ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit; marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta; dhe ndryshime në legjislacionin që rregullon bankat dhe sistemin e pagesave.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ndryshime në ligjin për mbrojtjen e mjedisit, projektligjin për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, si dhe ndryshime në legjislacionin për markat tregtare, patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe një projektvendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar që do të kontrollojë ligjshmërinë e veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake. Në përmbyllje të seancës do të shqyrtohet një projektvendim për ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit, ndërsa deputetëve u jepet mundësia të diskutojnë edhe për çështje jashtë rendit të ditës.

