Qamile Metan Marra, 117-vjeçarja shqiptare që u bë e njohur si një prej grave më të moshuara në botë, do të përfitojë një pension të posaçëm shtetëror. Vendimi për dhënien e kësaj shtese është marrë nga Këshilli i Ministrave, pas vëmendjes së madhe që mori historia e saj në vend dhe jashtë tij.
Marra, e lindur më 19 gusht 1909, u bë publike pas një reportazhi të gazetarit Blendi Fevziu. Sipas të dhënave të bëra publike, ajo është dy ditë më e madhe se gruaja që aktualisht konsiderohet nga rekordet Guinness si më e moshuara në botë. Historia e 117-vjeçares u përhap shpejt në rrjetet sociale dhe mediat e huaja; një element i përmendur gjerësisht ishte edhe mënyra e saj e ushqyerjes. Qamile Metan Marra ka treguar se në dietën e saj gjatë viteve kanë qenë përsëritur ushime të thjeshta, përfshirë lakrat, fasulet dhe produktet e bulmetit.
Ajo ka punuar për rreth 35 vite në kooperativën bujqësore dhe, para këtij vendimi, përfitonte një pension prej rreth 7,700 lekësh. Pas publikimit të historisë së saj, çështja u trajtua në Këshillin e Ministrave, i cili vendosi t’i akordojë një shtesë pensioni të posaçëm shtetëror.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, znj. Qamile Metan Marra do të përfitojë një shtesë në masën e dhjetëfishit të pensionit social. Megjithatë, në vendim përcaktohet se shuma e pensionit të saj, së bashku me përfitimet e tjera të parashikuara nga ligji dhe shtesën e re, nuk mund të kalojë dymbëdhjetëfishin e pensionit social.
Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe u miratua me propozimin e Kryeministrit. Burimi i lajmit: Top Channel.

