Presidenti amerikan Donald Trump reagoi pas raportimeve se dy këshilltarët e tij politikë, Chris LaCivita dhe James Blair, kanë ofruar shërbime këshillimore në Republikën Srpska, Bosnje-Hercegovinë, në prag të zgjedhjeve. Trump theksoi se ata nuk janë pjesë e stafit të tij të përhershëm, por bashkëpunëtorë të jashtëm, dhe paralajmëroi se mund t’i largojë nëse konstatohet konflikt interesi.
Në një postim në Truth Social, Trump u distancua nga angazhimet jashtë tij të dy këshilltarëve, duke theksuar se “Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse në cilësinë e konsulentëve të jashtëm”. Ai shtoi se ata lejohen të kenë klientë të tjerë, sikurse konsulentët politikë të tjerë në Uashington, por sqaroi se nuk kishte dijeni të plotë për për kë punojnë jashtë angazhimit me të dhe se do të kërkojë informacione shtesë. “Do t’i pyes dhe, nëse ka konflikt interesi, do t’i pushoj menjëherë”, deklaroi Trump.
Raportimet, të bazuara në burime të njohura me marrëveshjen, thonë se LaCivita dhe Blair kanë udhëtuar në Republikën Srpska para zgjedhjeve dhe kanë ofruar shërbime këshillimore për autoritetet aty. Sipas këtyre burimeve, të dy këshilltarët janë paguar me qindra mijëra dollarë secili, përmes një firme ligjore me bazë në Uashington të angazhuar nga qeveria e Republikës Srpska.
Teksti përmend se Chris LaCivita nuk është emër i panjohur në politikën shqiptare: ai ka qenë këshilltar politik për Sali Berishën dhe kampin opozitar shqiptar, si pjesë e ekipit amerikan të konsulentëve që punuan për strategjinë politike të Berishës në zgjedhjet e vitit 2015. Associated Press e ka përmendur LaCivita-n mes figurave të rëndësishme të fushatave të Donald Trump që janë angazhuar për të ndihmuar Berishën në Shqipëri.

