Aktori Albano Bogdo ishte i ftuar në emisionin “Në Shtëpinë Tonë” me Alban Musa, ku reagoi ndaj kritikave të nxitura nga një numër humoristik në puntatën e parë të sezonit të ri të “Portokallisë”. Skeçi, që lidhej me protestat e fundit në vend, u keqkuptua gjerësisht nga pjesë e publikut, por Bogdo pohoi se ai ishte thjesht i frymëzuar nga ngjarjet që kanë ndodhur gjatë protestës, pa asnjë qëllim denigrues.
Ai u shpreh prerë ndaj atyre që e interpretuan ndryshe, duke thënë: “Ata që e kanë keqkuptuar nuk kanë keqkuptuar asgjë, thjesht gënjejnë njerëzit e thjeshtë.” Bogdo theksoi se askush nuk e ka kundërshtuar të drejtën e protestuesve për 130 ditë rresht, duke nënvizuar kështu se qasja ndaj humorit po trajtohet ndryshe nga pjesëmarrja në protesta. Sipas tij, krijohet një pabarazi kur humoristëve u kërkohet heshtje, ndërsa të tjerëve u lejohet të protestojnë.
Aktori i humorit sugjeroi si zgjidhje të thjeshtë që ata që nuk e pranojnë humorin të ndryshojnë kanal: “Në qoftë se nuk ju pëlqen humori, ndërroni kanal. Është kaq e thjeshtë”, tha ai. Gjatë intervistës, Bogdo gjithashtu komentoi mbi fenomenin global të reagimeve negative në rrjetet sociale, duke vënë në dukje se çdo program humoristik në botë, përfshirë “late night shows” të njohura amerikane, përballet me të njëjtin lloj kritike nga anonimë në internet.
Ai shprehu habinë se si disa njerëz harxhojnë kohë për të shkruar komente në rrjet, në vend që t’i kushtohen familjes, punës apo aktiviteteve të tjera jetësore. Duke iu drejtuar kritikëve përsëri në mënyrë të drejtpërdrejtë, Bogdo përmbylli thirrjen e tij duke insistuar se do të vazhdojë standardet e punës dhe nuk do t’i ulë ato për shkak të kritikave anonime: “Në qoftë se do të ulesh të shikosh për çfarë kemi punuar gjithë javën dhe të qeshësh, ulu. Në qoftë se nuk të shijon, ndërro kanal.” Emisioni u transmetua në Top Channel.

