Policia Rrugore e Gjirokastrës ka intensifikuar monitorimet në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me kontrolle 24 orë në 7 ditë dhe përdorim të pajisjeve bashkëkohore për garantimin e sigurisë rrugore. Veçanërisht janë fuqizuar patrullimet pranë institucioneve arsimore, me prani të shtuar të shërbimeve policore gjatë fillimit dhe përfundimit të procesit mësimor, për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe për të menaxhuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Kontrollet kanë përqendruar vëmendjen te drejtuesit që qarkullojnë nën efektin e alkoolit, përdorin celularin gjatë drejtimit, nuk vendosin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, si dhe ndaj shkeljeve të tjera të rregullave të qarkullimit. Si rezultat i monitorimit konstant, gjatë dy javëve të fundit janë arrestuar ose proceduar penalisht 7 shtetas, ndërsa janë pezulluar 38 leje drejtimi.
Gjatë periudhës së kontrollit janë vendosur gjithsej një sërë masash administrative: 608 për parakalime të gabuara; 816 për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara; 562 për ndalim ose qëndrim të gabuar të automjetit; 23 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 7 për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 7 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 4 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit; dhe 241 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet janë shtrirë edhe në mjetet e transportit publik dhe ato për transportin e nxënësve, me qëllim parandalimin dhe evidentimin e menjëhershëm të shkeljeve që mund të cenojnë sigurinë e pasagjerëve. Në këtë kuadër, gjatë dy javëve janë vendosur 50 masa administrative për shkelje të ndryshme, përfshirë drejtimin e mjeteve të transportit publik pa dokumentacionin përkatës, transportimin e nxënësve mbi kapacitetin e lejuar, si dhe mosrespektimin e të drejtës së këmbësorëve për të kaluar, veçanërisht pranë institucioneve arsimore.
Policia Rrugore njofton se kontrollet dhe monitorimet do të vijojnë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha rrugët e qarkut dhe i bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

