Kryeministri Edi Rama publikoi në platformën X një mesazh me rastin e trevjetorit të 7 tetorit, ku shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe me të mbijetuarit. Në postim ai riktheu vëmendjen tek përmasat personale të tragjedisë, duke theksuar se për familjet, për ata që jetët u u copëtuan dhe për mbijetuesit me plagë të padukshme, ai mëngjes “nuk ka mbaruar kurrë vërtet”.
Rama kujtoi vizitën në Nova më parë këtë vit, duke përshkruar vendet ku heshtja flet më shumë se fjalët. Ai përmendi se të rinj nga shumë kombe ishin mbledhur atje për të kërcyer, për të qeshur dhe për të festuar jetën, por jetët e tyre u vodhën nga “errësira e urrejtjes dhe terrorit”.
Në mesazhin e tij ai vuri në dukje edhe traditën shqiptare të “Besës”, duke e përshkruar atë si një fjalë që përmban një kod moral të tërë — një premtim që nuk mund të thyhet. Rama kujtoi se në “orën më të errët të Evropës” gjyshërit tanë e mbajtën atë premtim duke strehuar hebrenjtë gjatë Holokaustit, duke rrezikuar gjithçka për t’i shpëtuar ata të shënuar për vdekje.
Sipas tij, kjo trashëgimi kërkon që kujtesa të mos dorëzohet kurrë ndaj indiferencës dhe që dhembja të mos braktiset në vetmi. Rama apeloi që antisemitizmi të mos lejohet të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve, dhe se duhet që t’u qëndrohet besnik miqve edhe në orët e tyre më të errëta.
Në përfundim të postimit, Rama u drejtua për çdo nënë, baba, fëmijë dhe familje që mban zi, me urimin që kujtimi i të dashurve të tyre të jetë “një bekim i përjetshëm”. Mesazhi i tij përfshin solidaritetin, përkujtimin historik të veprave të shqiptarëve gjatë Holokaustit dhe një thirrje për kundërshtim të indiferencës dhe antisemitizmit.

