Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media pas ofertës që i bëri kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe njoftoi se nuk e pranon këtë ofertë. Në fjalën e tij Hamza theksoi se “Sot në orët e fundit, nuk mund të imponosh marrëveshje. Nuk janë çështje të ndërlidhura. Ne po kërkojmë me e bë ligjin. Në çdo orë, në çdo kohë që kalon, pastaj në të vërtetë, gati thuajse e pamundëson aprovimin e ligjit në dy leximet”, duke treguar shqetësimin mbi kohën dhe mënyrën e arritjes së një marrëveshjeje politike në fazën përmbyllëse.
Ai u ndal edhe te çështja e Bekim Sejdiut, duke deklaruar se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës. Hamza saktësoi se “Marrëveshja për z. Sejdiun. Nuk është marrëveshje me PDK-në është marrëveshje me një subjekt tjetër politik. I patë lajmet që veç është hajt të flasim. Të shesim mjegull. Është marrëveshje me LDK-në.” Ai shtoi se nuk ka vërejtje personale apo politike ndaj zotit Sejdiu, por theksoi se marrëveshja është bërë jashtë tavolinës së PDK-së.
Duke komentuar situatën institucionale, Hamza vuri në dukje se vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për këtë zhvillim. “Edhe kësaj radhe, vendi shkon në zgjedhje si projekt i Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse Lëvizja Vetëvendosje i do të gjitha për vete. Edhe ato që s’i takojnë”, deklaroi ai, duke lidhur humbjen e mundësisë për formim të qëndrueshëm të institucioneve me veprimet e LVV-së.
Lajmi raportohet nga Top Channel.

