Më 6 tetor, protestuesit mbushën sheshin Skënderbeu në Prishtinë, duke kërkuar votimin e projektligjit për plotësim ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përfshirë një nen që shfuqizon Gjykatën Speciale, kërkesë e njëjtë si natën e mëparshme. Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta, tha se ligji duhet të sillet dhe të kalojë edhe në leximin e dytë.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, deklaroi se protesta do të vazhdojë deri në miratimin e projektligjit dhe fajësoi qeverinë për intervenimin e dhunshëm të policisë ndaj protestuesve. Ai u shpreh se, sipas tij, me urdhër të kryeministrit Albin Kurti dhe të ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, gjatë përplasjeve “u gjakosën sheshet e Prishtinës”, u rrahën qytetarë dhe u goditën familjarë të dëshmorëve. Haziri akuzoi gjithashtu Kryeministrin se po bën pazar me ligjin për mbrojtjen e çlirimtarëve, duke kushtëzuar mbrojtjen historike me kandidatë për president për të përfituar interesa partiake.
Policia e Kosovës njoftoi se do të vazhdojë me masa për mbarëvajtjen e protestës dhe raportoi se 20 zyrtarë policorë dhe 12 protestues kanë pësuar lëndime, si dhe se tre persona janë arrestuar. Inspektorati Policor i Kosovës ka iniciuar hetim preliminar lidhur me sjelljen e policisë pas ankesave për tejkalim të autorizimeve në përdorimin e dhunës.
Gjatë qëndrimit pranë institucioneve shtetërore, Partia Demokratike e Kosovës, si sponsorizuese e projektligjit, u mblodh dhe kërkoi që së pari të aprovohet projektligji dhe më pas të diskutohet çështja e presidentit. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se ligji duhet të votohet në të dy leximet dhe në tërësi, duke e quajtur atë një çështje që nuk i takon vetëm një partie.
Kryeministri Albin Kurti nuk pranoi të flasë të martën, duke thënë se do të diskutohet në Kuvend ose Qeveri. Ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim mbi mandatin e saj pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore. Mandati i saj si ushtruese përfundoi më 4 tetor. Mesnata e 6 tetorit është afati kur deputetët duhet të zgjedhin presidentin e ri, përndryshe shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

