Në fundjavë, aerodromi turistiko-sportiv i Gjirokastrës priti 12 avionë sportivë — 10 nga Italia dhe dy nga Greqia e Maqedonia e Veriut — nga të cilët mbërritën rreth 30 turistë me fluturime direkte. Pilotët pjesëmarrës vlerësuan aktivitetin dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit ajror në Gjirokastër dhe jugun e vendit. Njëri prej pilotëve tha: “Kam impresion të veçantë nga pjesëmarrja në këtë aktivitet, është hera e parë që ndodhem në Shqipëri, është shumë bukur si përsa i përket eventit në aerodrom ashtu edhe qytetit, sigurisht me mbështetjen edhe të institucioneve mund të zhvilloni turizmin e ajrit”. Një tjetër u shpreh: “Gjirokastra është një qytet shumë i bukur me njerëz mikpritës ndërsa kushtet këtu në aerodrom janë shumë të mira. Përsa i përket turizmit të ajrit mund të fluturojmë direkt nga Maqedonia ndërsa ka kërkesa edhe nga pilotë nga shtete të tjera”.
Gazetarët vënë në dukje se për të pasur ndikim real ekonomik dhe turistik, aerodromi nuk duhet të kufizohet vetëm në ngjarje një apo dy herë në vit. Për vite me radhë është kërkuar që aerodromi i Gjirokastrës të hapet për fluturime të rregullta dhe të shërbejë si pikë lidhëse për turistët që vizitojnë pjesën jugore të vendit, por konkretizimi i kësaj mundësie ende mungon. Mbajtja e hapësirës vetëm për aktivitete sporadike rrezikon humbjen e vlerës dhe potencialit që ai ka për turizmin e rajonit.
Aktualisht, aerodromi turistiko-sportiv është kthyer në një qendër të aktiviteteve për sportet e ajrit dhe pjesërisht nxit interesin turistik në jug të vendit, por sfida qëndron në transformimin e këtij potenciali në një aktivitet të rregullt dhe funksional. Përfaqësuesit e komunitetit të aviacionit dhe pilotët nënvizojnë nevojën për mbështetje institucionale dhe veprime konkrete që të mundësojnë shfrytëzim të vazhdueshëm të aerodromit dhe integrimin e tij në ofertën turistike të rajonit.

