Një bllok shënimesh me tekste këngësh të shkruara me dorë nga Freddie Mercury u shit për 277,000 paund në një ankand në Londër, gjatë ditës së parë të ngjarjes “Music Live” të organizuar nga Propstore. Dorëshkrimet i përkasin periudhës së regjistrimeve për albumin solo të Mercury-t, “Mr. Bad Guy” (1985), dhe fletorja ishte artikulli më i shtrenjtë i shitjes për atë ditë.
Fletorja ishte pjesë e koleksionit të Reinhold Mack, një arkiv që përfshin më shumë se 80 objekte memorabilie, duke përfshirë tekste këngësh të shkruara me dorë, materiale nga regjistrimet dhe dhurata personale që dokumentojnë miqësinë dhe bashkëpunimin mes producentit gjerman dhe Freddie Mercury. Reinhold Mack, i njohur për punën në studiot Musicland në Mynih, ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Rolling Stones, Led Zeppelin, Deep Purple, Electric Light Orchestra dhe Black Sabbath, por njihet veçanërisht për bashkëpunimin e tij të gjatë me Queen. Mack dhe Mercury zhvilluan një miqësi të ngushtë; Mercury u bë kumbari i djalit të producentit, John Frederick Mack. Propstore nxori në ankand për herë të parë arkivin e Mack, duke vënë në dispozicion koleksionin prej mbi 80 objektesh.
Në të njëjtën ngjarje, kitara akustike Takamine FP460SC e Noel Gallagher, e luajtur gjatë performancës së Oasis në “MTV Unplugged” në vitin 1996, u shit për 226,800 paund dhe vendosi rekord botëror për një kitarë akustike të grupit. Po për 226,800 paund u shiti edhe një xhaketë bardh e zi dhe ari, në stil ushtarak, e veshur nga Michael Jackson gjatë disa paraqitjeve publike në periudhat e albumeve “Dangerous” dhe “HIStory”. Ndër objektet e tjera, pianoja e madhe Yamaha C3, në të cilën kanë luajtur Freddie Mercury, Queen, Rolling Stones, Elton John dhe artistë të tjerë, u shit për 81,900 paund.
Top Channel

