Një kërcënim për shpërthim në vlerë 50 000 euro alarmoi një karburant në Dibër, por pas hetimeve rezultoi se bëhej fjalë për një skenar të sajuar. Më 02.10.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet operacionale të DVP Dibër, finalizuan operacionin policor të koduar “Kërcënimi” dhe brenda pak orësh identifikuan, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Sipas hetimeve, rreth orës 14:30 E. K. kishte vendosur në ambientet e një karburanti në pronësi të Z. Sh. një kuti të dyshimtë mbi të cilën qenë vendosur një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin për një pajisje shpërthyese të telekomanduar. Mbi kutinë ishte lënë një letër kërcënuese, ku autori kërkonte pagesën e shumës prej 50 000 eurosh si një gjobë, në formën e pagesës me kriptomonedha përmes një pike këmbimi dhe në adresën e përcaktuar nga ai. Në letër pretendohej se kutia përmbante lëndë plasëse C4, se ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera. Autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej policia apo persona të tjerë.
Pas reagimit të menjëhershëm, në vendngjarje u angazhuan edhe forcat speciale xheniere të RENEA-s, të cilët hapën dhe kontrolluan kutinë dhe konfirmuan se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.

