Sulmet e intensifikuara ruse me dronë dhe raketa shkaktuan dëme të mëdha në Kiev, goditën infrastrukturën kritike dhe paralizuan përkohësisht trafikun në një nga urat kryesore të kryeqytetit. Një person u vra pasi një ndërtesë banimi u godit gjatë natës, njoftoi shërbimi ukrainas i emergjencave. Kryebashkiaku Vitaliy Klitschko përshkroi situatën si “shumë dramatike”, duke nënvizuar se sulmet dëmtojnë infrastrukturën kritike, logjistikën, banesat dhe objekte të tjera të rëndësishme të qytetit.
Ura Pivdenny, një nga arteriet kryesore mbi Dnieperin, u godit disa herë gjatë dy ditëve, përfshirë një sulm me dron të premten, duke e çuar në katër numrin e goditjeve brenda dy ditësh. Si pasojë, trafiku i metrosë dhe i automjeteve mbi urë u pezullua. Kufizime u vendosën edhe në dy ura të tjera kryesore të Kievit, çka shkaktoi bllokime të mëdha trafiku në pjesë të ndryshme të qytetit. Kiev ka rreth tre milionë banorë dhe një pjesë e madhe e tyre mbështeten në rrjetin e metrosë për transportin e përditshëm.
Pas sulmeve, këshilli i mbrojtjes i Kievit zhvilloi një takim urgjent me pjesëmarrjen e zyrtarëve të ushtrisë, sigurisë, shërbimeve të emergjencave dhe policisë. Gjatë takimit Klitschko deklaroi se “Po flasim për mbijetesë”, duke akuzuar Rusinë se synon të shkaktojë panik dhe të dëmtojë funksionimin normal të kryeqytetit. Ai tha se Kievi do të vazhdojë të përballet me situatën përmes koordinimit të institucioneve dhe banorëve të qytetit.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia po përpiqet të godasë një gamë të gjerë të infrastrukturës ukrainase. Në një fragment interviste për Financial Times, Zelensky përmendi si objektiva ura, qendra të të dhënave, internetin, rrjetet celulare, spitale, kopshte, shkolla dhe universitete, dhe tha se synimi është që sulmet të krijojnë kushte që banorët të largohen nga qytetet e tyre.
(Burimi: Top Channel)

