Në Tiranë u zhvillua edicioni i parë i forumit “E ardhmja e Mikpritjes”, i cili mbledhi zhvillues shqiptarë, investitorë dhe disa prej brendeve më të njohura e prestigjioze të hotelerisë botërore. Nga forumi, kryeministri Edi Rama u ndal tek ndryshimet në 13 vitet e fundit në turizmin shqiptar, duke krahasuar situatën aktuale me atë të një dekade më parë. Rama theksoi se më parë vendi ishte “vërtet një pikë e zezë në hartën e industrisë së turizmit në Evropë” dhe se statistikat e mëparshme për numrin e turistëve ishin të pastruara nga numri i pasagjerëve që hynin dhe dilnin nga vendi, përfshirë edhe shqiptarët që udhëtonin për punë, familjarë apo pushime. Ai kujtoi se pavarësisht fryrjes së shifrave, ato nuk arrinin më shumë se 2 milionë, ndërsa sot Shqipëria ka kaluar shifrën e 12 milionë turistëve.
Gjatë forumit u prezantuan mbi 100 projekte shqiptare, me fokus investimet në sektorin e turizmit dhe hotelerisë. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve synon që këto projekte të shërbejnë si pikënisje për partneritete të reja dhe për investime me vlerë më të lartë për ekonominë. Drejtorja e Agjencisë, Laura Plaku, theksoi se sfida tani është që rritja e turizmit të mos matet vetëm me numrin e hyrjeve, por edhe me investimet që sjell ky sektor, me krijimin e vendeve të punës dhe me zgjatjen e sezonit turistik. Ajo shtoi se qëllimi është të bëhet kalimi i Shqipërisë “nga potenciali tek prestiçi” në industrinë turistike.
Forumi shërbeu si platformë për të nxjerrë në pah iniciativat dhe projektet e reja shqiptare në turizëm dhe për të lidhur potencialisht aktorë vendas me investitorë dhe brende ndërkombëtare të hotelerisë.

