Një aksident zinxhir që përfshiu 69 automjete ndodhi në Karolinën e Jugut, duke mbyllur të dy korsitë e autostradës dhe duke plagosur disa persona. Ngjarja u regjistrua në një urë që lidh Qarkun Clarendon dhe Orangeburg mbi Liqenin Marion, ku mjegulla e dendur kufizoi fushëpamjen e shoferëve dhe shkaktoi serinë e përplasjeve.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Sandy City, në aksident u përfshinë 15 kamionë dhe 54 makina. Mediat lokale raportuan se një nga të plagosurit u desh të transportohej me helikopter në spital, ndërsa të paktën dy persona raportohet të jenë plagosur rëndë. Nga incidenti nuk pati viktima, por shumë njerëz u plagosën dhe u dërguan në spitale. Autoritetet thanë se departamenti i zjarrfikësve ndihmoi në nxjerrjen e katër personave të bllokuar në automjete.
Dëshmitari Noah Mandel, i cili po udhëtonte me familjen nga Virxhinia në Florida, përshkroi momentet kur përfshihen në karambol. “Ishte çmenduri, është një nga ato gjëra që nuk mendon kurrë se do të të ndodhin”, tha ai për një media lokale, duke treguar se pa një makinë pas tyre që filloi të nxirrte tym dhe më pas shpërtheu në flakë, ndërsa përpara tij kishte njerëz të bllokuar në automjetet e tyre. Mandel vuri në dukje se prania e liqenit direkt nën urë e bëri situatën më të rrezikshme, por sipas tij “ne ishim veçanërisht me fat që asnjë nga automjetet nuk përfundoi në ujë”.
Autoritetet dhe ekipet e emergjencës punuan me orë të tëra në vendngjarje për të zgjidhur situatën dhe për të ristabilizuar trafikun. Hetimet paraprake lidhin shkaktimin e aksidentit me kushtet e dobëta të dukshmërisë për shkak të mjegullës së dendur, ndërsa detaje të mëtejshme mbi shkaqet specifike dhe numrin përfundimtar të të plagosurve priten nga raportimet zyrtare.

