Debate me tone të larta shoqëruan mbledhjen e Komisionit të Ligjeve gjatë diskutimeve për reformën administrativo-territoriale. Deputetët Saimir Korreshi dhe Gent Strazimiri kërkuan që Komisioni të njihet me të gjitha qëndrimet e ardhura nga pushteti vendor dhe që shqyrtimi të mos përfundojë pa u administruar edhe nisma e opozitës. Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, tha se Kuvendi ka ndjekur të njëjtën procedurë edhe për projektligjin e depozituar nga opozita.
Saimir Korreshi kritikoi mënyrën e trajtimit të nismave, duke bërë referime të shumta ndaj procedurës së përshpejtuar dhe duke e kundërshtuar trajtimin e diferencuar. Ai tha se komunat i janë drejtuar Kuvendit dhe jo “Maznikut”, dhe u shpreh se projekti u dërgua me nxitim: “Ja sa ka ardhur ligji e keni patur furrën e nxehtë, më 31 gusht e çuat me vrap, direkt. Ai nuk ka pritur fare të vijë këtu, hyri dhe doli menjëherë.” Korreshi kërkoi që edhe nisma e tyre të trajtohej me të njëjtën shpejtësi dhe të merren parasysh shkresat e mëparshme nga bashkitë; përdori metafora ku përmendte “pilafin” dhe “tavën në furrë” për të ilustruar mënyrën e nxituar të procedimit.
Ulsi Manja iu përgjigj se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i kishte bërë me dije se nisma e opozitës ishte nisur po ashtu te të gjitha bashkitë dhe se procedura ishte e njëjtë: “Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive.”
Gent Strazimiri akuzoi Komisionin për shkelje të procedurave dhe kërkoi që të dëgjohet edhe “Mazniku”, duke thënë se “Kushtetuta ta ka mbyllur gojën, të ka lidhur duar e këmbë me nenet” dhe se duhej të pritej për të ardhur edhe nismat e tyre dhe të bëheshin bashkë. Ai deklaroi që disa këshilla bashkiake janë shprehur me shkrim se nuk e duan reformën dhe akuzoi Komisionin se po vepron në shkelje të kushtetutës dhe ligjit. Në fund të debatit u përmend se interesimi i bashkive ishte rritur nga 15 në 16, duke përfshirë edhe Krujën.

