Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës dhe është transferuar menjëherë në një burg belg, pas vendimit të drejtësisë belge që e ka dënuar me 10 vite burg për rolin e tij në trafikun e drogës. Lajmi u konfirmua nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e cila e përshkroi ekstradimin si një tjetër shembull të bashkëpunimit mes Belgjikës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në luftën kundër krimit të organizuar. Verlinden deklaroi: “Së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, ne po tregojmë se nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës.”
Dizdari, 37 vjeç, u nis nga Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën me një avion dhe disa orë më vonë mbërriti në aeroportin ushtarak të Melsbroek në Belgjikë, ku pritet të vuajë dënimin e shqiptuar nga Gjykata e Anversës. Sipas autoriteteve shqiptare dhe hetimeve të zhvilluara nga SPAK, grupi kriminal me të cilin dyshohet se ishte i lidhur Dizdari — ku përmendet edhe Dritan Gjika — dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Dizdari është përfshirë gjithashtu në ngjarjen e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku u plagosën disa persona dhe mbeti i vdekur Fabiol Gaxha; ai është shpallur në kërkim që prej asaj kohe. Ai dyshohet se është personi që ka porositur 613 kg kokainë, të kapur në konteinerët me banane të Arbër Çekajt në Portin e Durrësit. Dizdari është një nga të arrestuarit e një operacioni të madh antidrogë të zhvilluar në Itali; mësohet se një kartel shqiptar i trafikut ndërkombëtar u shkatërrua në Firence dhe ai rezulton të ketë qenë një prej bashkëpuntorëve që fshihej në Dubai pasi ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Ai u kap në Dubai në vitin 2020 me bashkëpunimin e policive të disa shteteve evropiane dhe tani do të vuajë dënimin prej 10 vjetësh në Belgjikë.

