Aktorja Julia Ilirjani, në një lidhje live për emisionin “Top Story”, foli mbi videot intime që kanë qarkulluar në rrjet dhe aludimet që përfshijnë emrin e saj. Ajo shprehu keqardhje për personat e përfshirë dhe tronditje nga fakti që videot janë xhiruar: “Më vjen shumë keq që ka njerëz që u prishin karrierën njerëzve që kanë punuar prej vitesh e vitesh. E kuptoj që kur je person publik do jesh në vëmendje si për mirë, si për keq. Por më shumë se me çfarë u ka ndodhur atyre zonjave, jam edhe më e shokuar për atë që ka xhiruar. Nëse e ka bërë vetë është edhe më e tmerrshme, dhe nëse ia kanë vënë kamerën është po prapë e tmerrshme.”
Ilirjani tha se kishte dëgjuar se emri i saj ishte lakuar dhe se kishte marrë mesazhe nga persona të panjohur në Instagram; vajza e saj i kishte pyetur për këto thashetheme. Ajo deklaroi: “Rri e qetë, figura ime nuk është aty”, duke bërë me dije se nuk e kishte menduar veten pjesë të materialit.
Aktorja shprehu keqardhje për gratë emrat e të cilave u përmendën, duke theksuar se bëhet fjalë për artiste që kanë dhënë kontribut në skenë dhe për të cilat ajo ka respekt për anën artistike: “Ndjej keqardhje për ato zonja që u ka dalë emri. Në fund të ditës janë disa artiste që kohën e tyre të artë e kalojnë siç duan, por nuk janë në buxhetin e shtetit dhe në asgjë. Unë kam respekt për anën e tyre artistike, për një pjesë të atyre emrave që kanë dalë.”
Ilirjani ngriti edhe hipotezën se publikimi i videove mund të ketë pasur qëllimin e zhvendosjes së vëmendjes nga zhvillime të tjera në vend: “Mendoj se këto video janë hedhur për të hequr vëmendjen nga maskara e madhe që po ndodh në Shqipëri me fondet publike dhe hallkat e shtetit që është prishur e gjitha.”
Në lidhje me marrëdhëniet mes artistëve, ajo vuri në dukje se afërsia profesionale dhe emocionale mund të ndikojë në marrëdhëniet personale: “Puna e artistit është pa emocionale dhe ndonjëherë kjo afërsia e madhe që kemi me njëri-tjetrin na bën ta duam njëri-tjetrin më shumë sesa si shokë.” Në përfundim, Ilirjani u shpreh se do donte që zonjat e përmendura të bashkoheshin dhe të denonconin, “që dhe njerëzit të mos mendojnë se në një botë demokratike mund të bëjnë çfarë të duan.”

