Emisioni Top Story sonte trajtoi temën “Bukë dhe cirk në mes të skandaleve”, me fokus videot e shumta intime të personazheve të ndryshme të “showbizz”, të publikuara dhe të shpërndara gjerësisht në rrjetet sociale dhe në website. Në hapjen e emisionit, drejtuesja Grida Duma la të kuptohej se këto skandale në këtë moment shërbejnë për të mbuluar skandalet e tjera të lidhura ngushtë me politikën. Ajo tha: “Disa rastësi janë një ligjësi. Kur skandalet në politike janë në majën më të lartë, ndodh një tjetër hedhje në treg të një vëmendje që i tejklalon të gjitha sepse lidhet me moralin, që shqiptarët e kanë të rëndësishme dhe thonë më e keqe se vdekja është turpi. Thuhet se jepi popullit shown, arenën dhe gladiatorët dhe kapaku i pusetës mbyllet. Linçimi ka funksionuar gjithnjë si një armë e fortë.”
Gazetari Eraldo Harlicaj raportoi nga drejtoria e policisë, ku bëri të ditur se videot qarkullojnë prej një viti dhe se shpërndarja masive mund të ishte parandaluar. Sipas tij, njësia e krimit kibernetik ka qenë në alert dhe është vërtetuar se nuk ka materiale pedofilike. Harlicaj theksoi se nuk kishte pasur asnjë denoncim të mëparshëm në lidhje me videot dhe se është nisur një hetim. Ai sqaroi se katër akuzat e ngritura nuk i adresohen një personi konkret, por se hetimi është fokusuar te portalet dhe rrjetet sociale që i kanë shpërndarë materialet.
Siç u raportua, zanafilla e shpërndarjes ka qenë në “site” pornografike, dhe ekziston një denoncim që nga shtatori 2025 që këto video ekzistonin dhe qarkullonin. Harlicaj shtoi se një koleg e kishte vënë në dijeni për ekzistencën e videove. Përveç personazheve të showbizz-it, në të njëjtin site ishin shpërndarë edhe video të çifteve familjare në ambientet e tyre.
Në fjalën e tij u evidentua numri i madh i materialeve: bëhet fjalë për qindra video, jo vetëm të personazheve të showbizz-it, por edhe të njerëzve të tjerë. Harlicaj theksoi se është e çuditshme që materialet po marrin rrjedhë në këtë moment dhe se shpërndarja duheshte parandaluar; ai bëri thirrje që videot të ndalohen dhe të hiqen.

