Në shtator 2015, faqja Football Leaks filloi të publikojë miliona dokumenta të brendshme të botës së futbollit, duke zbuluar kontrata të futbollistëve të mëdhenj, projekte për një Super League, parregullsi të mundshme fiskale dhe operacione financiare të lidhura me klube dhe fonde investimi. Publikimet e Football Leaks, shumë prej të cilave u shpërndanë përmes gazetatës gjermane Der Spiegel, kontribuan në ngritjen e akuzave për shkelje të rregullave financiare ndaj Manchester City; klubi mohoi akuzat dhe deklaroi se dokumentat ishin siguruar përmes hakerimit.
Autor i zbulimeve u bë Rui Pinto, haker autodidakt portugez nga Porto dhe ish-student historie, i cili u arrestua në Hungari dhe u ekstradua në Portugali në 2019. Ai u akuzua për akses të paligjshëm në sisteme kompjuterike, shkelje të korrespondencës dhe tentativë shantazhi ndaj Doyen Sports, fond që lidhej me publikimin e parë të dokumenteve. Pinto mohoi vazhdimisht akuzat dhe u paraqit si informator i angazhuar për të denoncuar parregullsitë e futbollit.
Në prill të vitit pasardhës, në një proces të dytë gjyqësor në Portugali, Pinto u lirua nga 241 akuza, me gjykatën që i konsideroi të pabazuara. Pas vendimit që shpalli Manchester City fajtor për parregullsi financiare, Pinto rifilloi aktivitetin publik në rrjetin social X, ku riafirmoi akuzat e tij dhe sulmoi veprimet e udhëheqësve të futbollit.
Në postimin e tij, Pinto akuzoi drejtpërdrejt Gianni Infantino, duke thënë se si Sekretar i Përgjithshëm i UEFA dhe më vonë si president i FIFA-s, Infantino abuzoi me autoritetin, shpërndau dokumenta konfidenciale dhe ndërhyri në proceset hetimore për t’i lehtësuar dënimet për Manchester City dhe PSG, duke penguar një hetim më të thellë që mund të çonte në skualifikim nga Liga e Kampioneve. Pinto deklaroi gjithashtu se të gjitha këto detaje ishin zbuluar nga Football Leaks dhe përfundoi me një sulm të ashpër ndaj Infantos, duke e quajtur atë “kancer për futbollin” dhe duke thënë se nuk duhet të ketë vend në të ardhmen e këtij sporti.

