Zhvillimet e fundit politike dhe agjenda e kryeministrit Edi Rama dominuan mbledhjen e Komisionit të Kulturës, ku kryetarja Ina Zhupa komentoi pjesëmarrjen e tij në Samitin e Turizmit në Bruksel. Zhupa tha se “pashë një kryeministër që me trup ishte para gazetares, por me mendje ishte duke lexuar dosjet e SPAK-ut sa herë i ka dalë emri, sa herë përflitet për takimet e tij dhe mesazhet me Vlora Hysenin, Ergys Agasin, me të gjithë grupin e strukturuar kriminal”. Ajo kishte me vete librin “Albanian Files” me projekt-idetë e arkitektëve të huaj, për të cilin Partia Demokratike ka bërë kallëzim në SPAK, dhe komentoi se mendoi se Rama do ta merrte librin si pjesë të strategjisë së turizmit, por “ka frikë se është dosje SPAK-u. I rëndonte ndërgjegjen po ta mbante në dorë”.
Kundërpërgjigjen e morën nënkryetari Erion Malaj dhe anëtarët socialistë të komisionit. Malaj kundërshtoi narrativën e opozitës, duke thënë se nuk e pranoi qëndrimin se kryeministri “nuk është në lartësinë e duhur për të përfaqësuar Shqipërinë në një event turizmi”, dhe nënvizoi se ai nuk përfaqëson 800 mijë shqiptarë që votuan PS. Briseida Çakërri iu drejtua opozitës me fjalët: “Mos na e qani hallin ne, ne jemi këtu për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Deputeti dhe shkrimtari Loer Kume përshkroi dy entitete që sipas tij kishin “dritën e skenës”: drejtësinë, e cila vazhdon punën e saj, dhe shkrimtarët që ndahen në të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj dhe merren me idetë e të nesërmes. Zhupa iu përgjigj duke bërë diferencimin midis dy llojeve të politikanëve: “Mediokër që mendojnë për zgjedhjet e radhës dhe… politikanë të mëdhenj që mendojnë për gjeneratat e radhës”.
Pas rreth 30 minutash debati mbi pjesëmarrjen e kryeministrit dhe çështjet e ngritura rreth SPAK-ut dhe “Albanian Files”, komisioni vijoi diskutimin sipas rendit të ditës, duke u përqendruar në projektligjin për të drejtat e autorit.

