Paketa Kombëtare e Sigurisë në Shkolla u prezantua të martën në Kamëz në një takim me nxënës, mësues dhe prindër. Në prezantim morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo; ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro; ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu; ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla; dhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli.
Nisma parashikon ndarje të qartë të përgjegjësive mes katër ministrive. Policia e Shtetit do të fokusohet te mbrojtja dhe siguria e fëmijëve, Ministria e Arsimit në mjedisin shkollor dhe mirëqenien e nxënësve, Ministria e Shëndetësisë në aspektet e shëndetit dhe kujdesit, ndërsa Ministria e Bujqësisë në sigurinë ushqimore.
Ministrja e Arsimit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes oficerëve të sigurisë, psikologëve, punonjësve socialë dhe strukturave të tjera që veprojnë në shkolla. Qëllimi sipas saj është që problemet që mund të ndikojnë në sigurinë apo mirëqenien e nxënësve të evidentohen sa më herët dhe të trajtohen përmes një sistemi të koordinuar. Kumbaro njoftoi gjithashtu se janë instaluar kamera inteligjente në rreth 20 shkolla në Kamëz dhe Tiranë, ndërsa në shkollat e tjera vazhdon të punojë sistemi ekzistues i kamerave.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se Policia e Shtetit do të ketë rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë rreth ambienteve shkollore. Ai shprehu se “zero tolerancë” do të jetë qasja ndaj veprimeve që mund të cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, duke e cilësuar këtë si një prej prioriteteve kryesore të Policisë. Sipas tij, synimi i paketës është mbrojtja e plotë e fëmijëve, jo vetëm brenda ambienteve të shkollës, por edhe në hapësirat përreth saj.
Një tjetër element i paketës është forcimi i komunikimit mes oficerëve të sigurisë, mësuesve, psikologëve, punonjësve socialë, policisë dhe prindërve. Përmes këtij bashkëpunimi synohet identifikimi në kohë i situatave apo fenomeneve që mund të ndikojnë negativisht te siguria, shëndeti dhe mirëqenia e nxënësve.

