Prodhimi i specave në Shqipëri është kthyer në një shqetësim për sigurinë ushqimore pasi Kroacia asgjësoi sërish një ngarkesë me speca të prodhuar në Shqipëri, këtë herë për shkak të nivelit të lartë të metalit të rëndë nikel. Sipas njoftimit në sistemin RASFF, prania e nikelit në specat jeshilë ishte 1,96 mg/kg, ndërsa niveli maksimal i lejuar është 0,4 mg/kg. Ngarkesa u bllokua në kufi dhe i shkaktoi dëm ekonomik një tregtari nga Kosova, i cili kishte blerë një kamion me speca nga Shqipëria për ri-eksport drejt Kroacisë.
Prof. Dr. Ilir Kristo, specialist i tokave, tha se prezenca e nikelit në tokë është vërejtur në zona si Korçë, Devoll, Prrenjas, Kukës dhe në ujërat e lumit Shkumbin. Ai sqaroi se prania e nikelit në tokë mund të jetë e natyrshme, por problematike kur ky metal kalon në bimë apo fruta. Për parandalimin e rritjes së specave në toka me prani të metaleve të rënda, Kristo propozoi që Ministria e Bujqësisë të sigurojë një hartë të tokave dhe ujërave ku ka prani të metaleve të rënda dhe më pas të informojë dhe edukojë fermerët se si këto toka mund të menaxhohen për prodhim të sigurt të perimeve dhe frutave.
Në rast se burimi është ujor, profesori rekomandoi ndërprerjen e furnizimit me atë ujë. Kur burimi është toka, duhet ruajtur reaksioni kimik i tokës dhe mbrojtur nga acidifikimi; ai përmendi rëndësinë e kalciumit si element që ushqen tokën dhe ndihmon në neutralizimin e aciditetit të saj.
Kjo është ngarkesa e pestë me speca që Kroacia asgjësoi brenda muajit shtator; katër rastet e mëparshme gjithashtu kanë rezultuar me prani të lartë të substancave të rrezikshme. Alarmi për specat vjen nga laboratorët dhe autoritetet e huaja, ndërsa deri tani Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka bërë një njoftim publik për konsumatorët shqiptarë lidhur me cilësinë dhe sigurinë e specave që tregtohen në vend.

