Ish-ministri i Kulturës i Hungarisë dhe aktualisht deputeti Balazs Hanko u arrestua pas akuzave për përvetësim fondesh në Fondin Kombëtar të Kulturës (NKA), institucion nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës. Prokuroria bëri të ditur se Hanko u ndalua të hënën në mbrëmje në ambientet e Administratës Kombëtare të Tatimeve dhe Doganave, pasi parlamenti votoi për heqjen e imunitetit të tij. Hanko mohon akuzat; para arrestimit, në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook-un e kryeministrit Viktor Orban ai deklaroi se ndërgjegjja e tij është e pastër dhe e përshkroi çështjen si një “gjyq politik”.
Hetimi lidhet me pretendime se Fondi Kombëtar i Kulturës ka kanalizuar miliarda forinta në grante shtetërore drejt artistëve dhe organizatave me lidhje me partinë Fidesz, përmes një procesi të dyshuar jo-transparent të shpërndarjes së fondeve. Personat dhe organizatat e përfshira kanë mohuar çdo shkelje. Në korrik, policia bastisi zyrat ku ndodhen serverët e internetit të Fidesz-it si pjesë e hetimit për “përvetësim dhe vepra të tjera penale” të dyshuara në lidhje me fondin kulturor.
Hanko nuk është i vetmi zyrtar i lartë që është ndaluar. Të hënën u ndalua edhe Miklos Sesztak, i cili shërbeu si ministër i Zhvillimit Kombëtar në qeverinë e Viktor Orbanit nga 2014 deri në 2018. Sesztak po hetohet për dyshime për ryshfet dhe gjithashtu mohon çdo shkelje.
Zhvillimet vijnë ndërsa qeveria e kryeministrit Peter Magyar ka intensifikuar fushatën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike. Magyar ka deklaruar se korrupsioni dhe keqpërdorimi i parave publike i kanë kushtuar Hungarisë mes 8% dhe 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitet e fundit, nën qeverisjen e ish-kryeministrit Viktor Orban. Orban ka mohuar akuzat se ka lejuar që korrupsioni të mbetet i pandëshkuar gjatë 16 viteve të tij në pushtet. Magyar reagoi në Facebook duke e cilësuar të hënën si një ditë të rëndësishme dhe duke thënë se pas dekadash shumë hungarezë po përjetojnë “barazi para ligjit”.
Hetimi ndaj Hanko-s dhe Sesztak-ut vazhdon, ndërsa autoritetet pritet të shqyrtojnë edhe raste të tjera të dyshuara të korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike.

