31-vjeçari Anesti Tahiraj u arrestua në fshatin Kreshpan të Fierit, pasi dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në një tokë që kishte marrë me qira, dhe për shkak të erës së fortë flakët u përhapën në sipërfaqe të tjera toke, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier e arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Hetimet për ngritjen e akuzës dhe rrethanat e ngjarjes vazhdojnë sipas procedurave.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan forcat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, katër mjete zjarrfikëse dhe dy helikopterë. Pas ndërhyrjes së këtyre forcave, vatrat u vunë nën kontroll dhe zjarri u shua pa shkaktuar pasoja për jetën e njerëzve apo dëmtime të banesave. Megjithatë, policia raporton se zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe toke në fshat për shkak të përhapjes nga era.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon tek qytetarët të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre. Në mënyrë të veçantë, policia kërkon që banorët të mos djegin mbetje bujqësore apo të mos kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve përmes djegies, sepse këto praktika mund të çojnë në përhapje të pakontrolluar të zjarreve dhe në pasoja të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Rasti u raportua nga burimet e Policisë lokale dhe njoftimi për arrestimin e 31-vjeçarit dhe masat e ndërmarra për shuarjen e zjarrit është bërë publik nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier. Top Channel.

