Një mal është shembur në lumin Kali Gandaki në Nepal pas reshjeve të dendura, duke shkaktuar rrëshqitje masive dheu, përmbytje dhe ortekë në disa zona të vendit. Pamjet nga fshati Lete në distriktin Mustang tregojnë pemë dhe ndërtesa të përfshira nga rrëshqitja që përfundojnë në lumë.
Që prej së enjtes, reshjet e dendura kanë shkaktuar të paktën 21 viktima në Nepal, sipas agjencisë kombëtare të emergjencave. Në një incident tjetër, një ortek goditi një kamp në malin Himlung; katër persona konfirmohen të vdekur, 12 rezultojnë të zhdukur dhe dyshohet se kanë humbur jetën. Ekipet e shpëtimit arritën të shpëtojnë 10 persona dhe të nxjerrin trupat e katër viktimave, por operacioni u ndërpre për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
Rreshjet e dendura kanë shkaktuar edhe përmbytje dhe rrëshqitje dheu në shtetin indian Uttar Pradesh, ku raportohet se janë humbur të paktën 56 jetë njerëzish.
Dhjetëra turistë izraelitë janë mbetur të bllokuar në fshatin Samagaun në rajonin Manaslu, pasi rrëshqitjet e shkëmbinjve kanë bllokuar rrugët dhe kanë dëmtuar urat. Të bllokuarit kanë kërkuar evakuim nga autoritetet, të cilat po përballen me kushte të vështira atmosferike që vështirësojnë ndërhyrjet e shpëtimit.
Ngjarjet përfshijnë përhapje të dëmeve në infrastrukturë dhe ndërprerje të akseseve rrugore në zonat e prekura, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë operacionet atje ku kushtet e motit e lejojnë.

