Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) paralajmëron përdoruesit e WhatsApp pas raportimeve në rajon për raste të komprometimit të llogarive, ku në disa situata përdoruesit kanë humbur aksesin. Autoritetet po vazhdojnë analizën për të përcaktuar mënyrat e komprometimit dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin masat e rekomanduara për mbrojtjen e llogarive.
AKSK kërkon që përdoruesit të aktivizojnë verifikimin me dy hapa (Two-step verification) përmes Settings → Account dhe të mos ndajnë me askënd kodet e verifikimit, fjalëkalimet apo të dhënat e llogarisë. Përdoruesit duhet të kontrollojnë rregullisht seksionin “Linked Devices” dhe të shkëputin menjëherë çdo pajisje që nuk e njohin. Një paralajmërim i veçantë vjen kundër hapjes së lidhjeve të dyshimta të dërguara me SMS, WhatsApp apo email, sidomos kur kërkohet verifikimi i llogarisë.
Në rast se përdoruesi merr një kod ose njoftim për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër pa e kërkuar vetë, AKSK këshillon që të mos ndajnë kodin dhe të mos autorizojnë kërkesën. Gjithashtu rekomandohet që adresa e email-it e lidhur me llogarinë të sigurohet me një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë. Nëse humbet aksesin në llogarinë WhatsApp, përdoruesit duhet të përdorin vetëm procedurat dhe kanalet zyrtare të WhatsApp për rikuperimin e saj.
Autoriteti thekson se një kod verifikimi është personal dhe duhet verifikuar përpara se të ndërmerret ndonjë veprim, madje edhe nëse kërkesa duket sikur vjen nga dikush që njihni. Mesazhi kryesor i AKSK është që përdoruesit të jenë vigjilentë ndaj përpjekjeve për marrjen e kontrollit të llogarive dhe të aplikojnë menjëherë masat e sigurisë të rekomanduara për të reduktuar rrezikun e komprometimit.

