Në vitin 2001 Pep Guardiola ishte ende futbollist, pasi kishte mbyllur një kapitull të rëndësishëm te Barcelona dhe sapo kishte mbërritur në Brescia, ku do të luante me emra si Roberto Baggio dhe Igli Tare. Për Taren, Guardiola nuk mbahet mend vetëm për atë që bënte në fushë, por edhe për mënyrën se si e shihte dhe shpjegonte futbollin jashtë ndeshjes. Sipas ish-sulmuesit shqiptar, gjatë darkave Guardiola përdorte pjesë buke, gota, pirunja dhe thika për të ilustruar skemat dhe pozicionet, duke shpjeguar taktikat e tij tek shokët e skuadrës: “Ai në darkë gjente mundësinë që të shpjegonte taktikën duke përdorur pjesë buke ose gota ose pirunja, thika, kështu që ishte diçka shumë e bukur!”
Tare përshkruan një Guardiola që e perceptonte futbollin përtej 90 minutave të ndeshjes, dhe përmend edhe anën e thjeshtë dhe njerëzore të tij: “Por një djalë shumë i thjeshtë edhe ai, edhe ajo të bënte ta ndjeje shumë atë thjeshtësinë e madhe që ata kishin si njerëz.” Në atë kohë askush nuk mund ta dinte se lojtari spanjoll që kishte mbërritur në Brescia do të ndërtonte më vonë një karrierë të jashtëzakonshme si trajner, por për Taren Guardiola i vitit 2001 dhe Guardiola që njihet sot kanë pasur një tipar të përbashkët: “Ajo që ka qenë më e bukura është se Guardiola që kemi parë sot, ka qenë i njëjti njeri edhe kur ka qenë futbollist.”
Marrëdhënia midis tyre nuk përfundoi me largimin nga Brescia; Tare thotë se kanë ruajtur kontaktet ndër vite dhe ka pasur mundësi ta takojë sërish Guardiolën, madje gjatë kohës kur ai drejtonte Manchester Cityn. Tare tregon se e ka vizituar në një ndeshje të Premier Ligës kundër Nottingham Forest dhe kanë qëndruar bashkë rreth dy orë pas ndeshjes për të biseduar. Rrëfimi i Tares, pamjet e rralla të vitit 2001 dhe historitë e karrierës së tij që nisi në Brescia e vijoi në Lazio e Milan përbëjnë pjesë të dokumentarit ekskluziv “Igli Tare – Të shkruash historinë”, realizuar nga gazetari Endi Tufa.

