Më 28 shtator, në Tiranë do të zhvillohet Konferenca Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”. Në aktivitet do të jetë i pranishëm Kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë një fjalë përshëndetëse. Konferenca synon të mbledhë përfaqësues të institucioneve shqiptare, të Parlamentit Europian dhe të parlamenteve europiane për të diskutuar çështjet kyçe lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Diskutimet do të përqendrohen te procesi i zgjerimit të BE-së, reformat e nevojshme, çështjet e stabilitetit dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit. Aktiviteti do të përshëndetet nga figura të larta institucionale, përfshirë Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi; Kryeministrin Edi Rama; Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa; si dhe Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, së bashku me përfaqësues të tjerë të lartë.
Konferenca përfshin tre sesione tematike të përcaktuara si vijon: Agjenda e zgjerimit të BE-së dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit; Zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë; dhe Udhëheqja parlamentare dhe angazhimi në avancimin e integrimit europian. Secili sesion pritet të trajtojë aspektet e lidhura me rolin e institucioneve parlamentarë dhe mekanizmat e domosdoshëm për të përshpejtuar procesin e reformave dhe integrimit.
Konferenca do të moderohet nga Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, si dhe nga përfaqësues të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse. Organizimi sjell në një frymë ndërparlamentare diskutime mbi politikat e zgjerimit, rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve kombëtare dhe atyre europiane, dhe rolit të parlamenteve në mbështetje të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së.
Top Channel

