Tirana do të presë “Triathlon”, aktivitet sportiv që bashkon notin, çiklizmin dhe vrapin. Për mbarëvajtjen dhe organizimin e garës “Tiranathlon 2026”, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka hartuar një plan masash për organizimin e lëvizjes së automjeteve më 27 shtator 2026.
Kufizimi i qarkullimit do të vlejë në parkun Helen pranë Liqenit të Farkës, nga ora 08:00 deri në 13:00, dhe përfshin segmente të caktuara rrugore. Do të bllokohen rruga “Daxhit” (nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri te kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”), duke përfshirë edhe rrugën “Dëshmorët e Helikopterëve”. Po ashtu do të preken Boulevard Zhan D’Ark dhe Bulevardi Bajram Curri (segmenti nga ura Shkozë deri në kryqëzimin me rrugën “Selman Riza” dhe rrugën “Kastriot Feska”). Në listë është edhe rruga interurbane kryesore TEG–Ura Shkozë. Do të ketë kufizime dhe në segmentin e Unazës së Madhe të qytetit, nga nyja “Rrethrrotullimi i Freskut” deri në TEG; në këtë segment devijimi i automjeteve do të bëhet për në rrugën e “Rrethrrotullimit të Freskut” me dalje për në rrugën “Xhanfize Keko”.
Itinerari i lëvizjes së mjeteve të linjave urbane do të përshtatet: linja nr. 10/A “Materniteti i Ri – Qendër – Ish Fusha e Aviacionit” do të devijohet te ura “Brrylit” përkohësisht, ndërsa linja nr. 10/C “Rrethrrotullimi Shkozë – Ish Fusha e Aviacionit” do të pezullohet përkohësisht.
Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të vazhdojë normalisht në të gjithë itineraret e përmendura. Për zbatimin e urdhëresës ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit, Investimeve dhe Monitorimit të Punëve Publike; Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik; Drejtoria e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit; Tirana Parking dhe Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore.

