Elseid Hysaj ishte protagonist në fitoren e Kombëtares, duke dhënë një asist të pazakontë për golin e dytë të Ernest Muçit. Pas ndeshjes, mbrojtësi shkodran komentoi me humor momentin që solli golin, duke e cilësuar si “asistin më të bukur që kam dhënë në karrierë” dhe e krahasoi me rastet e Inzagit kur shënonte golat në pozicion jashtë loje, duke përmendur se do ta mbajë mend për faktin që ishte “një asist i çuditshëm”.
Hysaj shprehu kënaqësi për paraqitjen e ekipit dhe për ndryshimin e skemës taktike, duke vlerësuar qasjen më sulmuese të trajnerit. Ai tha se fitorja ishte e merituar, pasi në ndeshjet e kaluara ekipi kishte lënë pjesë loje “pak si keq” dhe kishte pasur keqkuptime përpara ndeshjes, si për lojtarët ashtu edhe për stafin teknik. Për këtë ndeshje ai u shpreh “shumë i kënaqur për çunat dhe për trajnerin tonë”.
Mbrojtësi evidentoi ndryshimin e formacionit teksa Kombëtarja luajti me tre në mbrojtje, gjë që solli më shumë raste përpara portës. Ai përmendi se skuadra luajti me Hoxhën dhe Muçin mbrapa Manajt, dhe se trajneri po kërkon një lojë më sulmuese sesa difensive.
Në prononcimin për “Supersport” Hysaj foli edhe për të ardhmen e tij dhe deklaroi se pas ndeshjeve me Kombëtaren do të marrë një vendim për karrierën. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e një aventure të re jashtë kampionateve ku ka luajtur deri më tani, duke lënë të hapur çdo mundësi: “Mbas Kombëtares do të bëj një zgjedhje për karrierën time… Është një moment pak i çuditshëm dhe vetë i kam dhënë më shumë kohë seç duhet. Mbas Kombëtares do ta gjej një zgjidhje, do ta shikoni të gjithë.”
Hysaj përmendi edhe një propozim me humor ndaj federatës, duke thënë se i kishte propozuar Dukës të bëjë një kontratë që të luajë vetëm për Kombëtaren dhe të rrijë pushim, si refleksion mbi situatën e pasigurisë gjatë merkatos dhe mundësitë që mund të lindin pas përfundimit të ndeshjeve kombëtare.

