Një i burgosur në burgun e Reçit, shtetasi Agron Llapushi, 49 vjeç, është gjetur i vdekur në mjediset e dusheve; dyshimet e para janë se i ka dhënë fund jetës. Llapushi, i lindur në fshatin Holtas dhe banues në Çekin të Gramshit, në vitin 2015 vrau bashkëshorten e tij, Alketa Llapushi. Sipas raportimeve, pasi u kthye nga emigrimi në Greqi, Rreth moshës 39 vjeç ai mbyti bashkëshorten në një arë në Gramsh me duar dhe më pas i shtrëngoi litarin në qafë, duke e lënë të vdekur në vend. Çifti kishin dy fëmijë, tani 20 dhe 19 vjeç, të cilët asokohe ishin të vegjël.
Pas ngjarjes, Agron Llapushi u dorëzua në polici dhe pranoi krimin. Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi burgim të përjetshëm, por Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi me 24 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” sipas nenit 79/c të Kodit Penal. Vendimi mori formë të prerë më 10.12.2015; ai ishte arrestuar më 01.04.2015.
Gjatë vuajtjes së dënimit, Llapushi kishte pak takime me familjarët; pati vetëm një takim në 2023 dhe një tjetër në 2025, ndërsa për periudhën tjetër askush nuk e ka vizituar. Në rrëfimin e tij pas ngjarjes, ai deklaroi se konflikti pati motive ekonomike, se kishte punuar si emigrant në Veria (Greqi), dhe se para një viti kishte pasur çrregullime mendore dhe depresion, duke pranuar se i kishin shkuar mendja për t’u vetëvrarë. Ai tha se kishte kryer një vizitë tek një psikolog në Elbasan. Përshkroi se ishte kthyer nga Greqia katër ditë para ngjarjes, jetonte në kushte të vështira ekonomike në një dhomë me familjen, dhe se gjatë një konflikti në tokën e quajtur “Mhalla e Lepurit” e ka shtrënguar bashkëshorten në fyt deri sa ajo humbi ndjenjat; më pas lajmëroi vëllain dhe u dorëzua.
Prokuroria urdhëroi ekspertizën psikiatrike (akti nr.194, datë 16.06.2015). Psikiatrët konkluduan se Llapushi nuk vuante nga ndonjë sëmundje psikike apo neuropsikike dhe se simptomat që ai pretendonte nuk plotësonin kriteret diagnostike për sëmundje madhore mendore. Burimi: Top Channel.

