Një 30-vjeçar i shpallur në kërkim për vjedhjen e një automjeti u arrestua në Durrës pasi tentoi të shpëtonte policisë duke drejtuar mjetin me shpejtësi dhe duke aksidentuar katër automjete. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, kur shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, gjatë patrullimit në rrugën “Pavarësia”, konstatuan një automjet pa targa dhe me xhama të zinj që kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe u vunë në ndjekje të tij.
Sipas njoftimit të policisë, sapo drejtuesi vërejti prezencën e uniformave, shtoi shpejtësinë dhe tentoi të largohej pavarësisht se iu bë shenjë ndalimi. Gjatë ikjes ai goditi katër automjete, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të policisë. Pas përplasjes, drejtuesi braktisi makinën dhe u përpoq të largohej me vrap, por u neutralizua dhe u ndalua nga shërbimet e policisë.
Verifikimet paraprake identifikuan personin e ndaluar si shtetasin M. K., 30 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, pasi një ditë më parë kishte vjedhur në Tepelenë automjetin me të cilin tentoi t’i largohej policisë në Durrës. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore nga Specialistët e Hetimit, 30-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale: “Vjedhja”, “Mosbindja e urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Materialet e rasti i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Në njoftim theksohet se veprimi i drejtuesit të automjetit rrezikoi jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të Stacionit të Policisë Plazh, ndërsa policia ndërmori ndjekjen dhe ndalimin e tij pas aksidentit dhe tentativës për t’u larguar me vrap.

