Bjellorusia është kundërshtari i parë i Kombëtares shqiptare në sezonin e ri të Nations League. Në konferencën për shtyp para sfidës, trajneri Aleksandr Goncharenko foli për gjendjen e futbollistëve dhe përgatitjet e skuadrës.
Trajneri raportoi se gjatë grumbullimit ka pasur atmosferë shumë pozitive dhe energji, si në stërvitje ashtu edhe në seancat teorike dhe komunikimin brenda ekipit. Sipas tij, lojtarët tregojnë përgjegjësi të lartë në stërvitje dhe në procesin e rikuperimit dhe po bëjnë maksimumin për të luajtur mirë në ndeshjet e ardhshme.
Për shkak të formatit të ri të kompeticionit, Goncharenko thirri tre futbollistë që nuk ishin në listën fillestare. Ai theksoi se, me katër ndeshje që do të luhen brenda një periudhe të shkurtër kohore, skuadra duhet të jetë më e zgjeruar sesa në rastet e zakonshme kur luhet vetëm dy ndeshje. Në rast dëmtimesh apo pezullimesh, është e nevojshme të ketë mjaftueshëm lojtarë gati për të zbritur në fushë, ndaj në grumbullim janë përfshirë 23 lojtarë fushe dhe tre portierë.
Sa i përket formacionit për ndeshjen ndaj Shqipërisë, Goncharenko tha se ka idetë e qarta, por formacioni fillon të kristalizohet gjatë ndeshjeve të para, kur shikohen dhe analizohen lojtarët dhe aspektet e ndryshme. Më pas, në vendimmarrje merren parasysh dëmtimet dhe lista e lojtarëve të pranishëm në grumbullim. Ai e përshkroi këtë si kryesisht një punë të brendshme të ekipit, por që kërkon nxjerrjen e përfundimeve dhe komunikimin e tyre te lojtarët për t’i dhënë drejtim skuadrës.
Goncharenko nënvizoi se synimi i grumbullimit dhe i ndeshjeve të para është të tregojnë më të mirën e skuadrës. Sipas tij, fokusi duhet të jetë në lojën e mirë në çdo ndeshje, si për ekipin në tërësi ashtu edhe për çdo lojtar veç e veç, duke ruajtur nivelin që nga minutat e para. Po ashtu, trajneri theksoi rëndësinë që zëvendësuesit të forcojnë ekipin, dhe se një organikë e gjerë e skuadrës mundëson këtë.

