Autodromi i Mugellos në Firenze do të presë Çmimin e Madh të Italisë në Botërorin e MotoGP për pesë vitet e ardhshme, pas rinovimit të kontratës midis drejtuesve të pistës dhe MotoGP Sports Entertainment Group. Lajmi u publikua nga të dyja palët, dhe kalendari i kampionatit për 2027 do të publikohet të premten, ku do të zyrtarizohet edhe data e garës në Itali.
Shefi i MotoGP, Carmelo Ezpeleta, vlerësoi rëndësinë e Mugellos, duke e cilësuar atë “më shumë se një pistë që pret një Çmim të Madh” dhe “një nga shtëpitë e MotoGP”, ku pasioni i tifozëve italianë dhe historia e sportit krijojnë një atmosferë unike. Ai theksoi se kjo ndalesë mbetet një nga eventet më speciale të kalendarit dhe u shpreh krenar që i është siguruar vendi në të ardhmen e MotoGP.
Edhe Shefi Ekzekutiv i Mugello Circuit, Paolo Poli, shprehu kënaqësinë për rinovimin, duke vënë në dukje se marrëveshja, që do të shtrihen deri në 2031, tregon impenjimin e pistës së bashku me Ferrarin për të ardhmen e Mugello Circuit. Poli theksoi se kjo marrëveshje vendos baza solide për të mbajtur Mugellon si një pikë reference në skenën ndërkombëtare dhe si një prej ndalesave kryesore në kalendarin e MotoGP për të apasionuarit nga e gjithë bota.
Ai rikujtoi gjithashtu se në 2025 u festua 50-vjetori i garës së parë motoçiklistike të zhvilluar në pistën toskane, dhe përmendi se me këtë rinovim historia e Mugellos vazhdon, duke hapur një kapitull të ri për Mugellon, Toskanën, Italinë dhe MotoGP.
Njoftimi zyrtar i rinovimit dhe deklaratat e drejtuesve vijnë para publikimit të kalendarit të 2027, ku pritet të konfirmohet data specifike e garës së Çmimit të Madh të Italisë në Mugello.

