E kthyer në traditë, Tirana do të presë “Triathlon”, event që bashkon notin, çiklizmin dhe vrapimin, i organizuar si “Tiranathlon” në parkun Helen pranë Liqenit të Farkës. Për mbarëvajtjen dhe organizimin e garës, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë hartuar një plan masash për lëvizjen e automjeteve më 27.09.2026, nga ora 08:00 deri në 13:00.
Për periudhën e përcaktuar do të ketë kufizime dhe bllokime të qarkullimit në segmente rrugore të caktuara. Ndër rrugët që do të bllokohen përfshihen: Rruga “Daxhit” (nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri te kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”), duke përfshirë edhe rrugën “Dëshmorët e Helikopterëve”; Bulevardet Zhan D’Ark dhe Bajram Curri (segmenti nga ura Shkozë–ura në kryqëzimin me rrugën “Selman Riza” dhe rrugën “Kastriot Feska”); rruga interurbane kryesore TEG–Ura Shkozë; dhe një segment i Unazës së Madhe të qytetit (nga nyja e “Rrethrrotullimit i Freskut”-TEG), ku devijimi i automjeteve do të bëhet për në rrugën e “Rrethrrotullimit të Freskut” me dalje për në rrugën “Xhanfize Keko”.
Itineraret e linjave urbane do të pësojnë ndryshime: Linja Nr. 10/A “Marteniteti i Ri – Qendër – Ish Fusha e Aviacionit” do të devijohet përkohësisht te ura “Brrylit”; ndërsa Linja Nr. 10/C “Rrethrrotullimi Shkozë – Ish Fusha e Aviacionit” do të pezullohet përkohësisht.
Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e përmendura. Për zbatimin e urdhëresës janë ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit, Investimeve dhe Monitorimit të Punëve Publike, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, Drejtoria e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit, Tirana Parking dhe Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore.

